Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis theksoi sot se një kompromis mes Greqisë dhe kreditorëve duhet arritur në fillim të vitit 2017, pas tensioneve të shkaktuara së fundi për çështjen e ndihmave sociale të vendosura nga Athina.
“Ne mendojmë se me një qëndrim konstruktiv të të gjitha palëve, një marrëveshje në nivel teknik do të arrihet muajt e ardhshëm (…) dhe se shqyrtimi i dytë i planit grek do të arrihet në fillim të vitit 2017”, theksoi Valdis Dombrovskis për të përditshmen greke, “Kathimerini” në një intervistë.
Ndihmat sociale, të njoftuara dhjetë ditë më parë nga kryeministri grek, Aleksis Cipras përfshijnë një rritje të ndjeshme të pensioneve të vogla dhe shtyrja e rritjes së TVSH-së për ishujt e detit Egje prekur nga kriza migratore, kanë tendosur sërish marrëdhëniet mes Athinës dhe kreditorëve evropianë javën e kaluar.
Reagimi i ashpër i Gjermanisë që përfaqëson disiplinën buxhetore ka shtyrë të mërkurën një zëdhënës të presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem të njoftojë ndërprerjen e masave të vendosura së fundi nga kreditorët e Greqisë, BE dhe FMN, për një lehtësim të reduktimit të borxhit publik, transmeton atsh.
Ndihmat sociale të njoftuara nga Cipras nuk duhet të ndryshojnë në mënyrë domethënese objektivat buxhetorët të Athinës në vitin 2017 dhe 2018″, theksuan të enjten tre institucionet përfaqësuese të kreditorëve evropianë: Banka Qendrore Evropiane (BQE), Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (MES) dhe Komisioni Evropian. (b.an)