Vazhdon të përkeqësohet situata në Greqi për sektorin e turizmit. Siç shkruan versioni “online” i gazetës “Kathimerini”, ishuj të ndryshëm në arkipelagun e Cicladi, ku një numër i madh turistësh të huaj gjenden aktualisht me pushime, kanë filluar me problemet e para të furnizimit, para së gjithash për kategori të tilla ushqimore, si mishi, por edhe për barnat mjekësore.
Në bazë të problemit për ndërmarrjet lokale, pohon Dhoma e Tregtisë në Cickladi, është kontrolli i kapitaleve të vendosura nga qeveria. Ndërmarrjet nuk mund të paguajnë furnizuesit e tyre të huaj.
Jo vetëm sektori i turizmit në ishuj, por edhe ai në pjesë të tjera të Greqisë janë shumë të shqetësuar për rrezikun se mund të gjenden pa furnizime ushqimore dhe të pijeve dhe druhen, se nëse problemi nuk zgjidhet sa më shpejt, do të jenë të detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre.
Një gjë e tillë, do të thotë se vetëm një vit pas sezonit të shkëlqyer turistik të vitit të shkuar, ky sektor në Greqi do të pësonte një valë largimesh nga puna dhe falimentime të ndërmarrjeve, duke shënuar kështu një nga rekordet më të këqija në historinë e vendit.
Nga ana e saj, Shoqata e Agjencive Turistike greke, ka konfirmuar se në ditët e fundit, rënia e prenotimeve ka arritur në 30-40%, që do të thotë, se të paktën 240 mijë prenotime të pritura në pesë ditët e fundit, nuk janë konkretizuar.