Rënia e Aleppos në duart e forcave qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, ka rritur alarmin në Izrael mbi kërcënime potenciale ndaj kufijve të saj dhe një riorganizimi më të gjerë të rajonit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk la vend për dyshime këtë të mërkurë, në lidhje me shqetësimin e thellë të Izraelit ndaj Teheranit, pozicioni i të cilit dhe jo vetëm, por edhe mbështetësve në Siri, është përforcuar nga mposhtja e rezistencës së rebelëve në Aleppo.
Gjatë një takimi në Astana me presidentin kazak, Nursultan Nazarbayev, Netanyahu u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për presidentin iranian, Hassan Rouhani, i cili planifikon ta vizitojë Kazakistanin javën e ardhshme, transmeton tch.
“Mos na kërcëno neve. Ne nuk jemi lepuj, por tigra”, është cituar të ketë thënë Netanyahu përballë Nazarbayevit, nga gazeta “the Jerusalem Post”. “Nëse ju na kërcënoni, do të rrezikoni veten tuaj”. (b.an)