Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin e djalit të ish-kryeministrit Fatos Nano pasi dyshohet se ka shkelje të procedurave standarte.
referuar komunikatës së policisë të datës 14 Dhjetor thuhej se janë referuar materialet për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm” në ngarkim të shtetasit S. N.
Ndërkohë sot policia sqaron se vijojnë verifikimet dhe se referimi në prokurori nuk kryhet pa përfunduar veprimet. Ndaj, SHÇBA ka nisur veprimet për rastin.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me veprimet e kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik në ambientet e lokalit me Administrator, S.N dhe në komunikatën e datës 14.12.2016 e Policisë Vendore Tiranë thuhej se janë referuar materialet për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm” në ngarkim të shtetasit S. N. ju sqarojmë se:
Në lidhje me mangësitë e konstatuara në këtë subjekt, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik në D.V.P. Tiranë janë akoma duke kryer veprimet përkatëse verifikuese.
Theksojmë se njoftimi në komunikatën e datës 14.12.2016 ka të bëje me të dhënat paraprake të kryera nga Policia.
Sqarojmë opinionin se referimi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga Oficerët e Policise Gjyqësore bëhet vetëm pasi merret informacioni i nevojshëm nga agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Në lidhje me sa me lart, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është duke kryer verifikimet e nevojshme për ligjshmërinë e veprimeve dhe nëse janë zbatuar ose jo të gjitha procedurat standarte të punës nga ana e Policisë./a.m.