Për herë të parë Maqedonia është në dorën e shqiptareve. Dy partitë e mëdha janë pothuajse barazim në rezultat dhe asnjëra nuk bën dot pa shqiptarët. Por as partitë shqiptare nuk bëjnë dot pa BDI-në e Ali Ahmetit, e cila edhe pse nën presion arriti të marrë 10 deputetë. Ky është numri magjik që i dha në dorë Ali Ahmetit çelësin e qeverisë së re. Kreut të BDI-së ju kërkua të ishte të martën në Tiranë për konsultime me Kryeministrin Rama, por ai nuk u paraqit. Bashkëpunëtorët e Ahmetit e justifikojnë mungesën me axhendën, kaosin në Maqedoni, por edhe negociatat dhe përgjigjja për kërkesën për takim është se mbase ndodh javën e ardhshme.
Burime në Shkup thonë për Top Channel se në BDI nuk e kanë pëlqyer aspak afërsinë me Tiranën të deputetit Muhamed Zeqiri nga radhët e LSDM dhe bashkëpunëtor i Zoran Zaev, liderit të opozitës. Ky i fundit, të hënën kërcënoi që askush mos negocionte me ish-kryeministrin Gruevski për qeverinë e re. Partitë shqiptare ndërkohë vënë kushte, Lëvizja Besa ka një kusht më shumë, që mos bëjë asnjë koalicion me BDI-në, por këtë kusht nuk e ka Aleanca për Shqiptarët.
Ndërkohë, shifrat tregojnë që pa BDI-në është e pamundur të krijosh qeverinë, vetëm nëse deputetët e partive maqedonase braktisin partitë përkatëse. Ndërkohë, mësohet se BDI do ketë kushtet e veta që lidhen me pikat e marrëveshjes e Ohrit, por edhe me një përfaqësim të gjerë të shqiptarëve në qeverisje. Analistë në Shkup thonë se lista mund të ketë dhënien shqiptarëve të postit të kryetarit të parlamentit, drejtuesve të lartë të qeverisë apo edhe ministrave që gjithmonë i kanë mbajtur maqedonasit. Zgjedhjet nuk i dhanë zgjidhje krizës dhe nëse kriza nuk do kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve, do jenë shqiptarët ata që do vendosin të ardhmen e Maqedonisë.
ma.me