Lufta kundër drogës e Presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte ka bërë që të vriten rreth 5900 persona në 5 muaj. Lideri radikal insiston se ai nuk është vrasës, pavarësisht se rrugët e vendit janë mbushur me trupa të vdekur për shkak të politikës së tij të ashpër ndaj narkotrafikantëve dhe përdoruesve të drogës. Në daljen e fundit për mediat Presidenti Duterte tha se me kënaqësi do t’i lejonte njerëzit të festonin Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në paqe nëse ata do ndalonin të merreshin me drogë.
Për gazetën vendase “Phil Star”, Duterte sqaroi se: “Janë kryer shumë vrasje dhe ekzekutime. Doni që çdo gjë të përfundojë? Është e thjeshtë. Ndalni përdorimin e drogës. Ndaloni atë që të kalojmë Krishtlindje dhe Vit të Ri në paqe”, – u shpreh me gjakftohtësi Presidenti i Filipineve.Policia kombëtare raportoi se deri tani janë kryer 5927 ekzekutime ndaj personave që kanë pasur lidhje me drogën, që nga 1 korriku i këtij viti.Një nga pikat kryesore të politikës së Duterte kur ai erdhi në pushtet në maj, ishte pikërisht lufta ndaj drogës, pra ishte një gjë e paralajmëruar. Në korrik rreth 60 mijë përdorues droge në Filipine u dorëzuan përpara qeverisë pas urdhrave të Presidentit për të vrarë çdo përdorues ose shpërndarës droge. /ma.me