Ish-kryeministri Sali Berisha pranoi që shërbimet sekrete të ngritura pas rënies së diktaturës kanë shkelur ligjin, ndërsa rrëzoi kritikat për shkelje të lirisë së medias. Ai tha në studion e “Top Story” se SHIK aso kohe ishte nën presionin e Sigurimit, dhe nuk kishte shumë eksperiencë, ndaj në disa raste ka shkelur edhe ligjin.
“Shërbimet sekrete të krijuara në vitin 1992 u krijuan pasi me një dekret të veçantë u shkri policia sekrete e Enver Hoxhës. Ata që u angazhuan ishin njerëzit më pa përvojë. Në tërësinë e tyre iu përmbajtën parimeve, por edhe bënë shkelje ligjore të papranueshme. Ata u përballën me një propagandë të egër të sigurimit të shtetit, që luftonte kundër tyre duke bashkëpunuar me shërbime të tjera. Sa u përket mediave, mendoj që si një shoqëri që vinte e izoluar, i duhej një kohë për të dalë në një liri të plotë mendimi. Si president bëra një ligj që mbronte mediat, i përkthyer nga një fondacion gjerman dhe u kritikua nga mediat në Shqipëri saqë unë e pashë që u nisa për ti bërë një shërbim dhe mora një efekt të kundër. Pas kësaj, mediat kërkuan shumë ligjin, por në 2004 bëra një ligj të pashkruajtur, asnjë padi nga administrata. Ka ndodhur vetëm 3 herë”, deklaroi ai./a.m.