Farmacitë e kryeqytetit nuk do të taksohen më për kryqin identifikues. Deri më tani, këtyre subjekteve u është mbajtur një taksë vjetore, për shkak të keqinterpretimit të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, ndërkohë që pas ankesës së depozituar nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, Bashkia e Tiranës ka vendosur në favor të farmacive.
Përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, përfaqësues të UFSH-së shpjeguan se kjo taksë është paguar prej 4 vitesh nga ana e farmacive, duke i penalizuar padrejtësisht.
“Ka qenë një gabim nga ana e bashkive. Ne përshëndesim z. Erion Veliaj, sepse e mori ankesën në konsideratë dhe vlerësoi drejt ligjin. Deri më tani, taksa llogaritej me metra katrorë si të ishte reklamë dhe përllogaritej me 45 mijë lekë të reja metri katror. Tabelës sinjalistike ku shkruhet ‘farmaci’ i bashkohej edhe përmasa e kryqit, duke i llogaritur si taksë tabele.
Ne depozituam ankesën dhe Bashkia e Tiranës na ktheu një përgjigje zyrtare, ku ligjëroi se nuk do të paguhet më për kryqin”, – u shprehën përfaqësuesit e UFSH-së. Po ashtu, të njëjtat burime thanë se kryqi është një sinjalistikë e detyrueshme nga ligji dhe në rast se farmacisti e heq, gjobitet. Gjithçka parashikohet në nenin 47 të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” sipas të cilit, “emblema e farmacive dhe e agjencive farmaceutike është e detyrueshme, e konfiguruar me simbolin që paraqet një gotë me fron dhe një gjarpër”.
Bashkitë
Ndërkaq, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë sqaron se e njëjta ankesë do të depozitohet edhe në bashkitë e tjera të vendit.
“Ne dëshirojmë që ta shtrijmë edhe në bashkitë e tjera. Do u çojmë nga një letër që të sensibilizohen, sepse tashmë kemi një referencë dhe vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Ky është një precedent shumë i mirë që të fillojë zbatimi i ligjit edhe në bashkitë e tjera. Te këto institucione do të çojmë të njëjtën ankesë, por do të shtojmë edhe faktin që tashmë Bashkia e Tiranës nuk e konsideron më si reklamë kryqin. Mendojmë se pozitiv do të jetë edhe fakti që z. Erion Veliaj është edhe kryetar i Shoqatës së Bashkive”, – u shprehën përfaqësuesit e UFSH-së.
Problematika
Pagesa për kryqin identifikues është parashtruar edhe më herët nga drejtues të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, por deri më tani nuk ishte marrë në konsideratë.
“Farmacia si një njësi e kujdesit shëndetësor duhet të jetë lehtësisht e dallueshme nga e gjithë popullata apo të sëmurët që kanë nevojë për barna e materiale mjekësore. Shenja dalluese kryesore e farmacive në të gjithë botën është kryqi simbolik, simetrik me ngjyrën jeshile. Kryqi me ngjyrë të kuqe dhe ai me ngjyrë jeshile është simboli kryesor për të treguar se kemi të bëjmë me një institucion apo njësi të kujdesit shëndetësor”, – kanë deklaruar më herët përfaqësues të UFSH-së.
BW/d.i.