Bashkimi Evropian dhe Kuba kanë nënshkruar sot marrëveshjen e parë ndonjëherë për marrëdhënie më të ngushta, si dhe u zotuan se ardhja e Donald Trumpit në krye të SHBA-së nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet e tyre.
“Kjo është ditë historike, e kemi kthyer një faqe të re. Sot, po fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri së bashku,” ka thënë shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes diplomatëve kryesorë të BE-së dhe ministrit të Jashtëm të Kubës, Bruno Rodriguez, në Bruksel, transmeton Express.
Marrëveshja, që ka për qëllim përkrahjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në ishull, do të formojë platformën legale për marrëdhënie në të ardhmen mes Brukselit dhe Havanës.
Ndërkohë, Rodriguez ka thënë se prioritet do të jetë zhvillimi i ekonomisë kubane, por theksoi se ekziston një pengesë e madhe në marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe Kubës – bllokada ekonomike dhe financiare e SHBA-së, citohet “Express”. (b.an)