Për shkak se Parlamenti i ri legjitimohet jo më herët se mesi i shtatorit 2017, në seancën plenare të 24 korrikut në Parlament, do të shkojnë 140 deputetët e zgjedhur më 2013, ndërkohë që 140 të tjerë do të jenë zgjedhur nga votat e 18 qershorit.
Ky precedent ndodh për herë të parë në Shqipëri, pasi Parlamenti aktual ka detyrimin kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës, pavarësisht se viti i ardhshëm është një vit zgjedhor. Juristi Çlirim Gjata evidenton faktin se Kushtetuta i ka parashikuar qartë afatet dhe deputetët duhet të zgjedhin kreun e ri të shtetit, para se Kuvendi i legjislaturës aktuale 2013-2017 të shpërndahet, përmes një votimi që mund të zhvillohet në një ose disa raunde, raporton NOA.
Sipas Kushtetutës, presidenti i ri merr detyrën jo më parë se 24 korriku, data që shënon përfundimin e mandatit të presidentit aktual Bujar Nishani. Në leximin që konstitucionalisti Çlirim Gjata i bën Kushtetutës, pohon se i takon këtij Parlamenti të thirret në seancë plenare për ceremoninë e ligjërimit të presidentit të ri të votuar nga deputetët.
Ndaj për herë të parë krijohet situata kur deputetëve që nuk do të jenë më në legjislaturën 2017-2021 që del nga zgjedhjet e 18 qershorit, do të shkojnë edhe një herë më 24 korrik, plot një muaj e një javë pas zgjedhjeve, kur ndërkohë janë zgjedhur 140 deputetët e rinj. Në këtë mënyrë, nga 19 qershori e deri më 14 korrik, Shqipëria do të ketë 280 deputetë të ligjshëm: 140 të zgjedhur më 2013 dhe 140 të tjerë të sapozgjedhur për katër vitet e ardhshme.
ma.me