Pronat që deri dje nuk shiteshin e as bliheshin dot, për shkak se firma ndërtuese ka falimentuar apo është inekzistente, nuk do të mbeten më të bllokuara. Mjafton aktmarrëveshja fillestare që vetë banorët të nisin procedurën për t’u pajisur me certifikatë përdorimi, duke i hapur rrugë hipotekimit të pronës.
Një procedurë e tillë, që prej vitesh ka qenë pjesë e disa fushatave elektorale, ka nisur të konkretizohet. Që prej tetorit, një zyrë në Bashkinë e Tiranës ka nisur mbledhjen e kërkesave.
Në një intervistë më të detajuar në “Panorama”, Ditjon Baboçi, drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, sqaron subjektet përfituese dhe rruga që duhet të ndjekin ata për t’u pajisur me certifikatë, me qëllim që prona të kalojë në emër të atyre që e posedojnë.
Është miratuar në Këshill vendimi që i hap rrugë hipotekimit të pallateve të braktisura. Për sa të tillë bëhet fjalë?
Nga një analizë paraprake e kryer nga strukturat e Bashkisë Tiranë rezulton se afërsisht 30% e objekteve të pajisura me lejë leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë ndër vite, nuk janë pajisur me certifikatë përdorimi, rrjedhimisht nuk janë pajisur as me certifikatë pronësie. Për sa u përket pallateve “të braktisura”, nuk mund të jepet një numër ekzakt total, për sa kohë ka raste për të cilat subjektet ndërtuese nuk kanë aplikuar kurrë pranë Bashkisë Tiranë për certifikatë përdorimi.
Do të jenë qytetarët, banues në këto objekte, mbajtës të kontratave të ligjshme që do të aplikojnë në Bashkinë Tiranë, pasi me Vendimin e Këshillit Bashkiak atyre u jepet e drejta për të aplikuar drejtpërdrejt për certifikatë përdorimi për sa kohë subjekti ndërtues është i disinteresuar. Në këtë mënyrë do të kemi edhe një numër ekzakt të pallateve të braktisura.
Konkretisht, objektet e papajisura me certifikatë përdorimi mund t’i grupojmë në 3 kategori:
a. Objekte të cilat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, pa zmadhim volumesh dhe sipërfaqeje, subjektet ndërtuese të të cilave janë aktive dhe të gatshme për bashkëpunim.
b. Objekte të cilat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, pa zmadhim volumesh dhe sipërfaqeje, subjektet ndërtuese të të cilave janë joaktive, figurojnë të çregjistruara, kanë falimentuar ose janë likuiduar.
c. Objekte të cilat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, me zmadhim volumesh dhe sipërfaqeje.
Nga kategoritë që përmendët më lart, kush mund të përfitojë?
Procesi ka filluar nisur që prej datës 26 tetor me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit Bashkiak, pas vlefshmërisë ligjore të prefektit të qarkut Tiranë dhe deri më sot kemi pasur një numër të konsiderueshëm aplikimesh nga qytetarë e subjekte ndërtuese. Për të përfituar nga Vendimi i Këshillit Bashkiak mund të aplikojnë subjektet ndërtuese/zhvilluese, si dhe çdo qytetar i interesuar, posedues i njësive të shërbimit apo banimit, i cili është mbajtës i një aktmarrëveshjeje të ligjshme për objektin e ndërtuar, që edhe pretendon se subjekti ndërtues është inaktiv, apo nuk është gjendur dakordësia për kryerjen e procedurave të kolaudimit mes palëve.
Ka ndonjë zgjidhje për objektet e braktisura, mbi të cilat janë bërë ndërhyrje apo shtesa?
Objektet që kanë ndërhyrje me pasojë shtesa në volum dhe sipërfaqe trajtohen nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, për këtë arsye edhe Bashkia Tiranë praktika të tilla i evidenton dhe i përcjell te ky institucion.
Çfarë duhet të bëjnë të interesuarit?
Qytetarët e interesuar janë të lutur të paraqiten pranë zyrave të pritjes me qytetarin, ku mund të marrin informacion më të hollësishëm dhe mund të depozitojnë një kërkesë për informacion për të kuptuar nëse janë përfitues nga Vendimi i Këshillit Bashkiak. Nëse përfitojnë, rast pas rasti do të informohen me hollësi nëpërmjet një shkrese zyrtare nga Bashkia Tiranë mbi dokumentacionin shtesë, apo hapat që do të ndiqen. Hapi i parë dhe më thelbësor për qytetarët është që duhet të dorëzojnë një kërkesë dhe detyrimisht aktmarrëveshjen ligjore për objektin e ndërtuar, pranë Bashkisë Tiranë. Në vijim, rast pas rasti do të informohen me hollësi nëpërmjet një shkrese zyrtare nga Bashkia Tiranë mbi dokumentacionin shtesë, apo hapat që do të ndiqen.
Thatë që procesi ka nisur. Ka një afat deri kur mund të depozitohen kërkesat për t’u pajisur me certifikatë përdorimi?
Procesi ka një afat ligjor të përcaktuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak, i cili zgjat një vit, që do të thotë se çdo subjekt i interesuar duhet që të aplikojë brenda një viti nga hyrja në fuqi e VKBsë. E rëndësishme është që çdo qytetar i interesuar të arrijë të aplikojë brenda këtij afati, ndërsa trajtimi dhe konkludimi përfundimtar te certifikata e përdorimit do të varet nga rasti konkret, gjithmonë në favor të qytetarëve dhe me përshpejtim procedurash brenda kufijve ligjorë.
I gjithë ky proces ka një kosto. Kush e paguan?
Me përjashtim të aplikimeve të vetë subjekteve ndërtuese, për të cilat do të ndiqet e njëjta procedurë dhe kosto për pajisjen me certifikatë përdorimi sipas legjislacionit në fuqi, për të gjitha rastet e tjera Bashkia Tiranë do të përballojë kostot për sa i përket caktimit të kolaudatorit dhe mbikëqyrësit të punimeve. Qytetarët mund të kenë një shpenzim simbolik do ta quaja, për veprime procedurale siç mund të jetë njësimi i aktmarrëveshjeve që posedojnë.
Panorama/d.i.