Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një postim në facebook, ka dhënë mesazhin e tij sa i përket 2 korrikut, datës kur 25 vjet më parë shqiptarët u strehuan nga ambasadat e huaja.
Basha ka thënë se “Falë kurajos dhe guximit të tyre që u ngritën dhe qëndruan të parët kundër diktaturës dhe izolimit, Shqipëria nisi rrugën pa kthim drejt Europës”.
Nga ana tjetër Basha ka hedhur sërisht akuza për manipulim zgjedhjesh, varfëri dhe eksod në rritje.
“Në vënd të kremtimeve, ky 25 vjetor na bën sot të reflektojmë si asnjëhere tjetër për vendin dhe shoqërinë tonë. Me zgjedhjet e 21 qershorit, vota e lirë, themeli i demokracise është dëmtuar rëndë, kriza ekonomike ka pllakosur vendin, mjerimi është ulur këmbëkryq në mijëra familje shqiptare, eksodi është rikthyer i dhimbshëm sa atëherë.”, shkruan Basha.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit i cili me anë të një postimi në tëitter, ka bërë ironi me mesazhin e Bashës në këtë datë, duke thënë se i duket sikur Bashës mesa duket i ka vajtur mendja të bëjë të njëjtën gjë.
“Duke lexuar perkujtimin e LB per hedhjen e njerezve pertej gardheve te ambasadave m’u duk sikur i ka vajtur mendja te beje te njejten gje:-)”, shkruan Rama.