Besnik Mustafaj, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, deklaron se Lëvizja e Dhjetorit mban vetëm autorësinë e studentëve të Tiranës dhe nuk ishte një lëvizje e dirigjuar nga Ramiz Alia.
Në një intervistë për “Panorama”, Mustafaj thekson se ajo ishte absolutisht një lëvizje e studentëve të Tiranës.
“Unë si një nga dëshmitarët e parë, nuk kam asnjë indikacion për të pasur dyshime të tilla. Unë besoj se ky thashethem dhe kjo lloj shpifjeje është përhapur më vonë nga vetë Sigurimi për t’i marrë vetë Sigurimi, Partia e Punës dhe Ramiz Alia meritat. Ajo ka qenë një lëvizje vetëm e studentëve dhe pastaj intelektualët e Tiranës, Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe të tjerë që u bashkuan me lëvizjen shkuan në mbështetje të saj dhe sigurisht me përvojën, kulturën dhe aftësitë e tyre politike i dhanë dimensionet, për të cilat kishte nevojë Shqipëria. Nuk ka asnjë dyshim për mua dhe nuk do të ketë kurrë se Ramiz Alia, apo Sigurimi i Shtetit, apo dikush tjetër e ka iniciuar këtë lëvizje”, thotë ai.
Sipas Mustafajt, “Nuk mundej ai sistem të dirigjonte një lëvizje që do ta varroste. Edhe logjika më elementare e rrëzon këtë ide. Unë personalisht dal garant dhe vendos “të dyja duart në zjarr” se nuk ka dorë as Ramiz Alia dhe as Sigurimi i Shtetit në Lëvizjen e 8 dhjetorit”.
Mustafaj mbështet edhe propozimin e Bashës për hapjen e Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Sipas themeluesit të PD-së, ky proces nuk është i vonuar, por duhet të japë rezultate konkrete përpara zhvillimit të zgjedhjeve, pasi në të kundërt nuk do të kishte asnjë vlerë.
Zoti Mustafaj, 26 vjet pas Lëvizjes së Dhjetorit vazhdojnë debatet nëse ishte lëvizje e dirigjuar nga Ramiz Alia dhe Sigurimi, apo ishte një lëvizje e studentëve dhe elitës intelektuale të Tiranës?
Ajo ishte absolutisht një lëvizje e studentëve të Tiranës. Unë si një nga dëshmitarët e parë, nuk kam asnjë indikacion për të pasur dyshime të tilla. Unë besoj se ky thashethem dhe kjo lloj shpifjeje është përhapur më vonë nga vetë Sigurimi për t’i marrë vetë Sigurimi, Partia e Punës dhe Ramiz Alia meritat. Ajo ka qenë një lëvizje vetëm e studentëve dhe pastaj intelektualët e Tiranës, Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe të tjerë që u bashkuan me lëvizjen shkuan në mbështetje të saj dhe sigurisht me përvojën, kulturën dhe aftësitë e tyre politike i dhanë dimensionet, për të cilat kishte nevojë Shqipëria. Nuk ka asnjë dyshim për mua dhe nuk do të ketë kurrë se Ramiz Alia, apo Sigurimi i Shtetit, apo dikush tjetër e ka iniciuar këtë lëvizje.
Kohët e fundit është përfolur shumë nga politikanë, apo edhe analistë, se ajo lëvizje ishte një dirigjim i vetë sistemit për të sjellë më pas përmbysjen e atij regjimi…
Nuk është e vërtetë. Nuk mundej ai sistem të dirigjonte një lëvizje që do ta varroste. Edhe logjika më elementare e rrëzon këtë ide. Unë personalisht dal garant dhe vendos “të dyja duart në zjarr” se nuk ka dorë as Ramiz Alia dhe as Sigurimi i Shtetit në Lëvizjen e 8 dhjetorit.
Si ju duket teza që po elaboron Basha për hapjen e partisë? A ka sens kjo hapje partie 6 muaj përpara zgjedhjeve, apo e mendoni si një lëvizje që duhej realizuar më parë nga vetë Basha?
Nëse do të ishte ndërmarrë më përpara si hap akoma më mirë do të ishte, por edhe tani nuk është vonë. Unë besoj se kjo tezë e elaboruar me këmbëngulje nga Basha në periudhën e fundit tregon se analiza e tij për humbjen e 2013-s është një analizë e plotë. Sepse humbja e 2013-s, përveç të tjerave, e rrudhi Partinë Demokratike. Ishte një humbje që e ngushtoi hapësirën e veprimit të saj, edhe si parti në opozitë. Unë besoj se Basha e ndien tani dhe bën një bilanc pas 3 vjetësh si kryetar partie se forca që ai drejton, nuk ka frymëmarrjen e mjaftueshme për të qenë një parti fituese. Kupton që ka nevojë për kualitete të reja, që do të jenë pjesë e qeverisjes nesër. Kupton që ka nevojë për një modernizim për t’iu përgjigjur edhe nivelit kulturor që ka shoqëria shqiptare tani. Ka nevojë për një mobilizim më të madh dhe e gjitha kjo arrihet përmes hapjes së partisë. Ky proces i hapjes së partisë është i domosdoshëm. Me hapje të partisë, unë kuptoj jo vetëm hapje të partisë ndaj demokratëve për të siguruar një kohezion brenda partisë, por edhe hapje ndaj të tjerëve që deri tani nuk kanë pasur ndonjë lidhje ideologjike dhe programore me PD.
Mesazhin për hapjen e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zgjodhi ta japë nga Qyteti Studenti, duke e përdorur atë shesh edhe për simbolikën që mbart ajo hapësirë. Si ju duket përzgjedhja e Qytetit Studenti për dhënien e këtij mesazhi nga Basha, në një kohë që pasi erdhi në pushtet në 1992, PD i përjashtoi të gjithë dhjetoristët?
Nuk janë përjashtuar të gjithë dhjetoristët. Sigurisht që Lëvizja e dhjetorit përfshinte brenda vetes njerëz që kishin pikëpamje të njëjta. Partia Demokratike u bë parti gjatë kohës. Në Qytetin Studenti lindi, por gjatë kohës u bë parti politike. Kështu ka ndodhur me të gjitha partitë. Unë nuk jam një njëri që operoj shumë me simbolikat, por, nëse bëjmë analizë për simbolikën, mua më duket një vend i përshtatshëm. Pse jo në Qytetin Studenti? Unë nuk e kuptoj pse nuk duhej atje, sepse kam dëgjuar edhe shumë të tjerë që e kanë kundërshtuar këtë fakt. Atje ishte një vend shumë i përtashëm në një përvjetor të caktuar për t’i dhënë fjalës së vet një forcë të re dhe një shtrirje në histori. Mua më duket fare normale. Mund të fliste për hapjen e partisë edhe me një artikull në gazetë shumë mirë. Ka 1000 mënyra për ta thënë idenë e re, por Basha zgjodhi Qytetin Studenti dhe mua më duket fare normale. E rëndësishme është që të ngjisë ideja, nuk ka shumë rëndësi vendi ku ajo thuhet. Ai është lideri i opozitës dhe idetë e tij duhet të shndërrohen në veprim. Nëse ai mbetet në nivelin e shprehjes së ideve, nuk e ka kryer detyrën e tij.
Kur flasim për hapjen e PD-së, a duhet të jetë ky thjesht një premtim elektoral i Bashës, apo është një proces që duhet përfunduar përpara zhvillimit të zgjedhjeve?
Kjo ka vlerë që të fillojë si lëvizje tani dhe të bëhet realitet në prag të zgjedhjeve, në mënyrë që shqiptarët ta shohin se vjen një Parti Demokratike e përtërirë përpara tyre. Nëse ai pret më mbrapa, vetëm për të shpërndarë poste, nuk do të ketë rast se nuk do t’i fitojë zgjedhjet. Pra duhet domosdoshmërisht ta bëjë tani këtë lëvizje, në mënyrë që edhe shqiptarët të gjykojnë edhe mbi njerëzit që afrohen pranë Partisë Demokratike. Ne KOP-in e famshëm e kemi themeluar 1 vit e gjysmë përpara zgjedhjeve, në mënyrë që shqiptarët të kishin mundësi t’i shihnin një e nga një (përfshirë edhe Bashën vetë që ishte pjesë e KOP) dhe t’i gjykonin individualisht, dhe më pas në grup prurjet e reja në atë kohë në PD. Çdo ditë për realizimin e kësaj ideje është kohë e humbur.
Duhet të shkojë me këto forume Basha në zgjedhje, apo duhet të identifikojë një ekip si qeveria në hije me figura të ndryshme, apo edhe përfaqësues të shoqërisë civile?
Unë e kam menduar shpeshherë këtë gjë edhe kur isha pjesë e strukturave drejtuese në PD. Nuk është në praktikën e Partisë Demokratike dhe përgjithësisht në politikën shqiptare. Shumë pak parti politike popullore praktikojnë “qeverinë në hije”. Kjo është një traditë zakonisht e konservatorëve anglezë. Ka edhe një rrezik konkret ideja e krijimit të “qeverisë në hije”. Ne kemi një klimë politike shumë të tendosur, shumë të personalizuar. Për këtë arsye, unë jam i bindur që individët që do të ishin pjesë e kësaj “qeverie” do t’i nënshtroheshin një masakre të vërtetë nga ana e kundërshtarit. Unë në kohën time që herët e dija se do të bëhesha ministër i Jashtëm, për vetë rolin që kam pasur në atë kohë. Por, në një kontekst tjetër, nuk do të doja të isha anëtari i një qeverie në hije. Identifikimi si pjesë e një “qeverie në hije” shpërqendron veprimtarinë e këtyre njerëzve, pasi i detyron ata të kalojnë në pozita mbrojtjeje. Pra, në gjykimin tim do të ishte joproduktive krijimi i një “qeverie në hije”.
Kur flasim për rikthime në PD, ju vetë si një prej themeluesve të kësaj force politike mund të flisni për emra konkretë? Kujt duhet t’ia shtrijë dorën e bashkëpunimit Basha?
Politika ka specifikat e veta. Unë do të doja që PD të hapet ndaj atyre personave që e kërkojnë vetë të jenë pjesë e saj. Politika është si dashuria, nëse nuk e ke brenda vetes nxitjen drejt politikës, nuk bëhet me ftesa dhe shpërndarje postesh. Ne kemi pasur në atë kohë disa njerëz dhe u vërtetua që ata njerëz nuk kishin një shpirt të fortë politik. Unë hapjen e kuptoj ndaj atyre që duan të bëhen pjesë. Ftesa duhet t’u bëhet të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë dhe dëshirojnë të vijnë, por që ngurrojnë, apo nuk e njohin mirë Partinë Demokratike, ose kanë një mendim të caktuar për njërin apo tjetrin. Por duke u artikuluar nga drejtuesit dhe kryetari i Partisë, atëherë kapërcehen këto ngurrime. Politika është vendim personal i gjithsecilit, nuk është një ofertë që mund t’ia bësh dikujt. Po të shohim, gjysma e ministrave të qeverisë aktuale nuk kanë asnjë të kaluar politike dhe janë totalisht ministra të dështuar.
Krahas idesë për të hapur Partinë Demokratike, Basha ka bërë edhe një premtim tjetër se në zgjedhjet e ardhshme 35% e listave do të përbëhen nga të rinjtë. Si ju duket ky propozim dhe a duhet të ndihet e kërcënuar kasta e vjetër?
Sigurisht që duhet angazhimi i të rinjve. Mua nuk më pëlqen përcaktimi i kuotës 35% apo 40% për të rinjtë, ose e thënë më ndryshe vendosja e stekave në nivele të caktuara. Por që ka nevojë për të rinjtë dhe që ka të rinj të mrekullueshëm në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Këtë ata e treguan në fushatën e tyre brenda forumit rinor që është fushata më moderne, e cila është zhvilluar ndonjëherë në ndonjë organizatë politike në Shqipëri. Unë jam shumë admirativ ndaj forumit rinor. Caktimi i këtyre lloj parcelave e dobëson garën brenda partisë. Mund të rrisë garën brenda forumit, por e dobëson atë në nivel partie sepse shihet si ngushtim hapësire për të gjithë të tjerët që mund të jenë me përvojë, mund të jenë “veteranë”, siç po më pëlqen mua t’i quaj ata që janë që nga themelimi i partisë. Mund të jenë të gjithë brezat, në politikë nuk je kurrë plak. Çurçilli është shembulli më i mirë se si edhe 80 vjeç u bë kryeministër. Caktimi i parcelave kam frikë se e ngushton garën. Por mua më vjen mirë që Basha e sheh Forumin Rinor Demokrat si një furnizues të madh me politikanë për partinë.
Kur flasim për rinovim, mund të përfshihet edhe ishkryeministri Berisha? Ju vetë e shikoni se duhet ta kandidojë Berishën kreu aktual i PD-së? Apo ky ngelet një vendim personal i vetë Berishës?
Tani është një periudhë që unë mendoj se Berisha po bën një opozitë shumë të fortë sipas mënyrës së tij dhe unë besoj se ky është një vendim që vetëm ai mund ta marrë. Në këtë kuptim le të mos i japim më shumë rëndësi sesa duhet këtij fakti. Duhet t’i japim më shumë rëndësi hapjes së partisë, sesa vetë personalitetit të Berishës.
JUXHIN MUSTAFARAJ/Panorama/d.i.
Panorama/d.i.