Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar dy ditë më parë në Krujë dhe pas denoncimit të 25-vjeçares, blutë arrestuan vëllain e saj dhe shpallën në kërkim bashkëshortin, që u largua në drejtim të paditur. Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Besnik (Abedin) Tema, 40 vjeç, banues në Krujë, vëllai i denoncueses, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit I.K., 32 vjeç, banues në Tiranë, bashkëshorti i 25- vjeçares.
DIVORCI
Pas përplasjeve për motive të ndryshme me bashkëshortin e saj I. K., 32 vjeç, me të cilin kishin edhe një fëmijë të vogël, 25-vjeçarja me iniciale F.K. i ka kërkuar divorcin. Prej disa ditësh, ajo kishte braktisur shtëpinë e saj në Tiranë dhe ishte rikthyer në shtëpinë e prindërve në fshatin Borizanë të Krujës.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se shkak për divorcin mes çiftit ishte bërë dhuna që ai ushtronte mbi 25-vjeçaren sistematikisht dhe përplasjet për motive të ndryshme.
Pasi kishe duruar disa kohë dhunën fizike dhe psikologjike, ajo i ka kërkuar bashkëshortit të nisnin procedurat e divorcit. Edhe pse ky i fundit nuk e ka pranuar kërkesën, gruaja ka qenë e vendosur duke u larguar nga shtëpia për t’u kthyer në vendlindjen e saj (Borizanë- Krujë), në banesën e prindërve. Gjatë kësaj kohe, bashkëshorti ka tentuar ta bindë 25-vjeçaren të rikthehej në shtëpi, por ajo ka refuzuar.
DHUNA
“I penduar” për gjithçka kishte bërë, dy ditë më parë I.K., 32 vjeç, shkoi te banesa e vjehrrit (Borizanë), ku ishte edhe gruaja dhe ka tentuar të qetësonte situatën, t’i mbushte mendjen e të bashkoheshin sërish. Në bisedë është bashkuar edhe vëllai i gruas. Por duket se në debat e sipër gjërat janë acaruar dhe pasi nuk i kanë mbushur mendjen gruas të bashkohej, ata të dy e kanë dhunuar.
“Pasi nuk pranova të rikthehesha në shtëpinë e burrit, ai së bashku me tim vëlla më dhunuan dhe më kërcënuan se do të më copëtonin po të mos kthehesha. Unë e kisha vendosur, pasi ishte e pamundur jetesa me atë njeri (I.K., 32 vjeç, me banim në Tiranë). Në momentin që u thashë se nuk do të kthehesha, bashkëshorti dhe im vëlla nisën të më godisnin në mes të shtëpisë, të më fyenin, shanin dhe kërcënonin se do të më bënin copash po të mos kthehesha”, ka dëshmuar gjatë denoncimit 25-vjeçarja, nënë e një fëmije të vogël./panorama/a.m.