Janë mbyllur netët gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike 2016” në Pallatin e Kongreseve, ku artistëve BIG u janë shtuar dhe emrat e të rinjve, që kanë kaluar të gjitha fazat e seleksionimit nga juria e profesionistëve, e përbërë nga Ulis Krajka, Juliana Pasha, Olti Curri, Venera Lumani e Sardi Shehu (Dj. Sardi).
Destinacioni i finales, sot në mbrëmje, që do të prezantohet nga showman- i Ardit Gjebrea dhe Eli Zaharia Zogu, u jep shansin edhe të rinjve, që fituan statusin e këngëtarëve “Big”, të bëhen pjesë e votimit.
Ata do të votojnë dhe do të votohen nga këngëtarët e tjerë pjesëmarrës të këtij kompeticioni për të zgjedhur në fund të natës finale edhe fituesin e çmimit të parë të “Këngës Magjike 2016”. Por si gjithmonë, edhe këtë edicion pika nevralgjike e kësaj gare është votimi, dhe dilema e madhe e konkurrentëve nëse do të votojnë si artisti për artistin, apo si miku për mikun.
Brenda garës spikatën Artiola Toska ft. Bruno, Arilena Ara, Rozana Radi, Alar Band ft. Klea Huta, Soni Malaj, Alban Ramosaj, Valon Shehu, Flaka Krelani, Endri & Stefi Prifi, Anxhela Peristeri etj., teksa në paskuintat e garës nisën dhe parashikimet për fituesit bazuar në aleancat mes artistëve, apo miqësitë e tyre të forta.
Shumë prej këngëve konkurruese janë kthyer tashmë në hite e njerëzit i kanë zgjedhur me kohë të preferuarit e tyre. Por diskutimi ka qenë nëse kënga hit mund të jetë dhe ajo fituese?
Nuk ka qëndruar jashtë këtij diskutimi edhe blogeri dhe moderatori i njohur Olti Curri, i cili këtë edicion ishte shumë pranë festivalit, duke qenë pjesë e jurisë që përzgjodhi të rinjtë. Në një prononcim për “In Tv”, Olti e ka thënë hapur se kush do të dëshironte që të shpallej fitues sot. Sipas tij, ajo është këngëtarja Artiola Toska që në bashkëpunim me Brunon solli në skenë hitin e shumëpëlqyer me titullin “Mirëmëngjes dashni”.
Ka pasur dhe të tjerë njerëz të medias që kanë parashikuar këta dy këngëtarë si fitues të garës, me krijimin e kompozuar nga Flori Mumajesi.
Por, sipas burimeve tona brenda festivalit, flitet se këngëtarët në garë kanë votuar me pikë maksimale për dy balada, pikërisht për “Nëntori” të Arilena Arës dhe “Ma thuaj ti” të Rozana Radit, raporton “Panorama Plus”. Gjithsesi, kjo garë është e paparashikueshme, ndaj le të shohim se kush do të triumfojë sot në finalen e madhe./a.m.