Një histori e çuditshme është dëgjuar dje në seancën e rradhës gjyqësore në Saluzzo të Italisë, protagonistë të së cilës janë katër shqiptarë, tre gra dhe një burrë.
Njëra nga gratë e ka denoncuar burrin shqiptar për dhunë seksuale dhe fizike. Ana (jo emri i saj i vërtetë), ka rrëfyer në gjykatë një histori që siç shkruajnë mediat italiane, mbetet ende për t’u sqaruar.
Ana e kishte njohur të pandehurin (me pseudonimin Liri), bashkëshortin e saj, në vitin 2012 në rrjetin social Facebook.
Të dy, edhe pse ai ishte i martuar, ishin fejuar në Shqipëri dhe më pas shkuan në Itali. Ana u punësua, një punë që ia gjeti Liri, pasi ai vetë nuk mundej disa kohë për shkak të një aksidenti që kishte pësuar.
Kur Liri filloi punë, shtëpiake mbeti Ana. Atëherë, ai e prezantoi me Dalinën, për ta ndihmuar të gjente një strehim. Liri dhe Dalina kishin një marrëdhënie mes tyre vite më parë, por Ana nuk e dinte.
Në vitin 2013, Ana dhe Liri shoqëroheshin me njeri-tjetrin, por në të njëjtën kohë, edhe pse i martuar, ai takohej edhe me Dalinën. Ana u bë xheloze, zihet me Lirin dhe gjatë një grindje mes tyre ai e godet.
Ndërkohë, Ana rrinte shpesh në shtëpinë e Dalinës. Dhe ajo ka qenë dëshmitare e grindjeve dhe dhunës mes tyre.
“Unë e kam parë Lirin që e godiste në fytyrë me shqelma dhe grushte, i përplaste kokën pas dollapit. Unë i thosha të ndalonte, atëherë ai kapej dhe me mua”, tha Ana në gjyq, shkruajnë mediat italiane.
Dalina, më pas, i ka thënë Anës, që tani e ka bërë mike, se Liri do të përdorte dhunë edhe mbi të. Por, ndërkohë, të tre rrinin me njeri-tjetrin.
Deri në ditën kur Liri, i verbuar nga xhelozia, ka rrahur Dalinën e cila më pas e ka denoncuar.
Pas denoncimit, ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak në banesën e gruas së tij. Pasi skaduan afatet e masës së sigurisë, kjo e fundit e përzuri nga banesa.
Avokati mbrojtës i shqiptarit, Chiaffredo Peirone, ka thënë se klienti i tij ka denoncuar pak muaj më parë Anën, duke e akuzuar për përndjekje, sepse e ka ngacmuar dhe ndjekur, por ajo i ka mohuar akuzat.
“Ai më ka kërkuar të ktheheshim bashkë, por unë nuk doja të rrija me të pasi ai shkonte me shumë gra. Kisha dyshime dhe e ndoqa vetëm një herë, sepse besoja se takohej me një tjetër”, tha ajo.
Procesi gjyqësor po vijon dhe në ditët në vijim do të ketë të tjera dëshmi të cilat do të na japin një panoramë më të qartë mbi rolin e burrit dhe të grave të përfshira në këtë marrëdhënie./panorama/a.k