Avioni i drejtuar nga piloti italian Guido Guidi rrëzuar në Ishëm më 16 shtator dhe i dyshuar si mjet fluturues i përdorur për trafik ndërkombëtar droge nga ajri nga Shqipëria drejt Italisë rrezikon të dëmtohet si provë materiale edhe pse është pjesë e një hetimit të prokurorisë shqiptare.
Report Tv ka mësuar se më 24 tetor 2016, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave Ajrore i është përgjigjur Prokurorisë me anë të një shkrese ku sqaron se nuk mund të sigurojë një hambar për ruajtjen e këtij avioni si dhe nuk ka teknik për t’i çmontuar krahët.
“Forcat ajrore nuk ka në organikën e saj personel teknik për avionit me krahë si dhe pajisje për të realizuar çmontimin e tyre” nis përgjigja e Forcave të Armatosura për Krimet e Rënda.
Më tej sqarohet se “Aktualisht komanda e forcave ajrore nuk mund të vendosë në ruajtie këtë avion në hangarin e saj në (Rinas) pasi ky hangar është i hapur dhe përdoret për mbështetje të operacioneve me vendet e aleancës dhe gjithashtu nuk mund ta marrë në ruajtie për shkak të mungesës së personelit.
Forcat e Armatosura i vënë në dukje prokurorisë se mund të ndihmojnë në zhvendosjen e mjetit fluturues vetëm pasi atij ti çmontohen krahët dhe të paracaktohet një vend ruajtje i ndryshëm nga hambari i Rinasit siç është kërkuar nga prokuroria.
Operacioni i kërkuar për zhvendosjen e avionit model ‘Piper’ nuk është i pari, pasi në gusht të 2014 një operacion i ngjashëm u krye nga forcat e armatosura nga plazhi i Divjakës në drejtim të hambarit të ministrisë së Brendshme në fushën e aviacionit.
Siç tregojnë dhe këto pamje, avionit të Divjakës u hoqën krahët dhe me mjetet e ushtrisë ai u soll në Tiranë e tashmë me vendim gjykate është konfiskuar për llogari të shtetit shqiptarë, pasi piloti Girgo Riformato u gjet fajtor dhe u dënuar për trafik droge mbetur në tentativë nga Shqipëria drejt Italisë.
Prej më shumë se tre muaj, avioni qëndron në Ishëm ndërsa burime për Report Tv nga Policia e Shtetit sqaruan se për ruajtjen e këtij mjeti ata janë angazhuar çdo dite me shërbime tre turne dhe shpesh herë kanë hasur vështirësi për shkak të kushteve atmosferike.