Kursi i ri i Presidentit të Zgjedhur të SHBA Donald Trump për vendin e tij është sakaq i dallueshëm; ne nuk dimë thjeshtë se sa shpejt do të lundrojë anija. Por ne nuk duhet të ushqejmë iluzione: Europa është tepër e dobët dhe e ndarë që të zëvendësojë SHBA-në në pikëpamje stategjike dhe pa udhëheqësinë e SHBA-së, Perëndimi nuk mund të mbijetojë.
Nga Joschka Fischer
Tashmë që Donald Trump është zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara, fundi i asaj që deri tani është titulluar “Perëndim” është bërë tërësisht i qartë. Ky term përshkruan një botë transaltantike që u shfaq nga dy luftërat botërore të shekullit të 20, duke ripërkufizuar rendin botëror gjatë katër dekadave të Luftës së Ftohtë dhe duke dominuar botën – deri tani.
Perëndimi nuk duhet të ngatërrohet me termin “Oksident.” Ndërsa kultura, normat dhe religjoni dominues i Perëndimit janë në përgjithësi “Oksidentaliste” në origjinë, Perëndimi evoluoi në diçka të ndryshme me kalimin e kohës. Tipari bazë i Oksidentit mori formë përgjatë shekujve nga rajoni i Mesdheut (megjithëse pjesë të veriut të Alpeve të Europës bënë kontribute të shumta dhe të rëndësishme në zhvillim). Perëndimi, përkundrazi, është transaltantik dhe është një fëmijë e lindur në shekullin e njëzetë.
Kur filloi Lufta e Parë Botërore, ajo qe një konflikt europian mes Fuqive Qendrore dhe Ententës së Britanisë, Francës dhe Rusisë. Ajo u bë me të vërtetë një luftë botërore vetëm në vitin 1917, kur SHBA hyri në të. Ky është momenti kur mori formë ajo që ne të gjithë e quajmë Perëndim.
Perëndimi mund të thuhet se e mori certifikatën e lindjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në gusht 1941, pasi Gjermania Naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik, kryeministri i Britanisë
Winston Churchill dhe Presidenti i SHBA-së Franklin D. Roosevelt u takuan në një anije lufte pranë brigjeve të Njufoundlandit dhe nënshkruan Kapitullin e Atlantikut. Marrëveshja u zhvillua më vonë në formën e NATO-s, e cila, për katër dekada, mundësoi një aleancë demokracish të pavarura me vlera të përbashkëta dhe ekonomi të tregut për t’i rezistuar kërcënimit sovjetik – dhe që në këtë mënyrë e ruajti Europën deri në ditët tona.
Në themel të kësaj, Perëndimi u mbështet në angazhimin amerikan për të ardhur në mbrojtje të aleatëve të vet. Rendi Perëndimor nuk mund të ekzistojë pa SHBA-në duke luajtur këtë rol thelbësor, rol nga i cili Amerika mund të heqë dorë nën udhëheqjen e Trump. Për rrjedhojë, tashmë vetë e ardhmja e Perëndimit është në rrezik.
Askush nuk mund të jetë i sigurt se çfarë do të thotë zgjedhja e Trump për demokracinë amerikane, ose se çfarë do të bëjë ai kur të marrë zyrën. Por ne sakaq mund të bëjmë dy supozime të arsyeshme. E para, presidenca e tij do të jetë shumë përçarëse për politikën e brendshme dhe të jashtme të Amerikës. Trump e fitoi presidencën duke shkelur praktikisht çdo rregull të pashkruar të politikës amerikane. Ai mposhti jo vetëm Hillary Clinton, por edhe estabilishmentin e Partisë Republikane. Ka pak arsye për të besuar se ai papritur do të braktisë strategjinë e tij fituese kur të marrë postin më 20 janar.
Ne mundet të supozojmë gjithashtu se Trump do t’i qëndrojë besnik premtimit të tij për “ta bërë Amerikën të madhe sërish”; ky do të jetë themeli i presidencës së tij. Ish presidenti Ronald Reagan premtoi gjithashtu të njëjtën gjë, por ai e bëri në një kohë që SHBA, ende e angazhuar në Luftën e Ftohtë, mund të merrte një përqasje perandorake. Kështu, Reagan ndoqi një politikë riarmatimi në shkallë kaq të gjerë sa në fund solli rrëzimin e Bashkimit Sovjetik; ai i hapi rrugë bumit ekonomik të Amerikës përmes rritjes masive të borxhit kombëtar.
Trump nuk e ka luksin e një përqasjeje imperialiste. Përkundrazi, gjatë fushatës së tij, ai kritikoi vazhdimisht luftërat e pakuptimta të Amerikës në Lindjen e Mesme; dhe mbështetësit e tij nuk duan asgjë tjetër veçse SHBA-në që braktis rolin e vet si udhëheqës botëror dhe tërhiqet nga bota. Një SHBA që lëviz drejt nacionalizmit izolacionist do të mbetet vendi më i fuqishëm i botës me diferencë të madhe nga të tjerët; por nuk do të garantojë më sigurinë e vendeve të Perëndimit apo mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar te tregtia e lirë dhe globalizimi.
Pyetjet e vetme që mbeten tani është se sa shpejt do të ndryshojë politika e SHBA-së, dhe se sa radikale do të jenë këto ndryshime. Trump sakaq ka premtuar të anulojë Partneritetin Trans-Atlantik me 12 vende – një vendim që përbën pak a shumë një dhuratë për Kinën, pavarësisht nëse ai e kupton këtë gjë apo jo. Ai mund t’i japë gjithashtu Kinës një dhuratë tjetër: reduktimin e angazhimit të SHBA-së në Detin e Kinës së Jugut. Kina mund ta gjejë veten shpejt garantues të ri të tregtisë së lirë të botës – dhe ndoshta udhëheqës të ri botëror në luftën kundër ndryshimeve klimaterike gjithashtu.
Në lidhje me Sirinë, Trump mundet thjeshtë t’ia dorëzojë këtë vend të shkatërruar presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe Iranit. Praktikisht do të përmbysë balancën e fuqisë në Lindjen e Mesme, me pasoja të rënda shumë përtej rajonit; moralisht, ajo do të jetë një tradhti e pamëshirshme për opozitën e Sirisë dhe një dhuratë për presidentin e Sirisë Bashar al-Assad.
Dhe nëse Trump i lëshon pe Putinit në Lindjen e Mesme, mbetet për t’u hamendësuar se çfarë do të bëjë ai me Ukrainën, Europën Lindore dhe Kaukazin. A duhet ne të presim një Konferencë të Jaltës 2.0 për të njohur atë që është sot sfera e ndikimit de facto e Putinit?
Kursi i ri i Presidentit të Zgjedhur të SHBA Donald Trump për vendin e tij është sakaq i dallueshëm; ne nuk dimë thjeshtë se sa shpejt do të lundrojë anija. Shumë gjëra do të varen nga kundërshtimi (i demokratëve dhe republikanëve) që Trump do të hasë në Kongresin e SHBA-së dhe mbi presionin që do të bëjnë shumica e Amerikanëve të cilët nuk votuan për të. Por ne nuk duhet të ushqejmë iluzione: Europa është tepër e dobët dhe e ndarë që të zëvendësojë SHBA-në në pikëpamje strategjike dhe pa udhëheqësinë e SHBA-së, Perëndimi nuk mund të mbijetojë. Për rrjedhojë, bota Perëndimore, ajo në të cilën ne të gjithë jetojmë sot, është pothuajse e sigurtë se do të zhduket para syve tanë.
Çfarë do të ndodhë pas kësaj, Kina, ne mund të jemi të sigurt, po përgatitet për të zënë vendin e Amerikës. Dhe në Europë, kasafortat e nacionalizmit janë hapur; me kalimin e kohës, ato do të vërsulin edhe një herë djajtë mbi kontinent – dhe mbi botë.