Janë 6 kategori pensionistësh, të cilët përfitojnë nga rritja e pensioneve mbi bazën e vendimit të Qeverisë “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve të llogaritura në periudhën ’93 deri më 31 dhjetor ‘96″. Eksperti për pensionet, Fadil Kepi, ka sqaruar se përmes kësaj nisme nuk përfitojnë të gjithë, por vetëm 19 655 të moshuar, të cilët janë në kushtet e parashikuara në vendim.
Në komunikimin e përjavshëm me qytetarët, përmes Radio Tiranës, Kepi shtoi se rritja është përcaktuar edhe për pensionistët që kanë dalë në pension të plotë, por vetëm ata që i takojnë periudhës nga 1 tetori i 1993-shit deri më 31 dhjetor 1996. “Sipas vendimit të qeverisë, numër 409, datë 1 qershor 2016, për ngushtimin e diferencave në masën e pensionit, rritje kanë përfituar të gjithë personat që kanë dalë në pension të plotë nga 1 tetori i 1993-shit deri më 31 dhjetor 1996. Ndërsa në pikën 3 të vendimit thuhet se përfitojnë edhe minatorët e nëntokës, por që kanë dalë në pension të parakohshëm, pra me 60% nga 1 janari 1995 deri më 31 dhjetor 1996. Me këtë vendim Qeverie kanë marrë shtesë 19 655 persona dhe jo të gjithë pensionistët”, veçoi Kepi.
Gazeta boton sot tabelën me kategoritë që përfitojnë aktualisht dhe ato të cilat pritet të futen në skemë pas zyrtarizmit të vendimit të ri, që është dërguar në Qeveri për miratim.
VENDIMI
Përmes vendimit të miratuar në muajin qershor të këtij viti, synohet që të korrigjohet një parregullsi, e cila daton nga koha e llogaritjes së pensioneve. Këta të moshuar kanë qenë të penalizuar, pasi, edhe pse kanë qenë në kushte të njëjta me të tjerët, ata kanë përfituar një pension më të ulët. Për vite me radhë ky dëm i krijuar nuk është korrektuar. Një gjë e tillë kërkohet që të realizohet përmes vendimit të ri. Gjithsej janë 19 655 pensionistë që përfitojnë nga nisma.
Shtesa e miratuar për pensionet e lidhur para 1996 nuk është fikse për të gjithë. Ajo përcaktohet në varësi të faktit se në cilin grup bëjnë pjesë përfituesit, po ashtu datës kur kanë dalë në pension, si edhe masës fillestare të pensionit. Rritja, e cila ka nisur të aplikohet, varion nga 844 lekë deri në 5 mijë lekë për kategori të caktuara, siç janë ishushtarakët.
KATEGORITË E REJA
Shumë shpejt pritet që Qeveria të miratojë një vendim të ri, duke përfshirë rishtazi në skemë edhe 3 mijë pensionistë të tjerë, që kanë dalë në pension përpara vitit 1996. Mësohet paraprakisht se nga shtesa do të përfitojnë të gjithë ish-punonjësit e industrisë metalurgjike, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistët, saldatorët etj.
Gratë që kanë punuar në punë të kategorisë së parë dhe të dytë në pension të parakohshëm dhe më pas kanë plotësuar moshën për pension të plotë pleqërie, si dhe minatorët e nëntokës, do të përfitojnë një shtesë më të lartë. Rritja e parashikuar, e cila do të nisë të aplikohet që prej datës 1 qershor 2016, do të variojë nga 196 lekë – 3.737 lekë në muaj./Panorama/a.m.