Organizata “WikiLeaks” ka publikuar një grumbull prej mijëra emailash privatë gjoja nga llogaria e ministrit të lartë qeveritar turk, Berat Albayrak – dhëndër i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – që, sipas saj, zbulojnë lidhjet ndërmjet Albayrakut dhe një kompanie të përfshirë në marrëveshje me rafineritë e naftës që kontrollohen nga grupi terrorist, Shteti Islamik (ISIS).
Grumbulli i 60.000 emailave, i publikuar të hënën, përfshin periudhën ndërmjet prillit të vitit 2000 dhe shtatorit të vitit 2016, raporton The Independent.
Emailat zbulojnë se Albayrak kishte mjaft njohuri për stafin dhe pagat në “Powertrans”, një kompani të cilës i ishte dhënë monopol në transportimin rrugor dhe hekurudhor të naftës në vend nga Kurdistani irakian, transmeton Gazeta Express.
Mediat turke patën raportuar më 2014 dhe më 2015 se “Powertrans” ishte akuzuar për përfshirje në tregtinë e naftës së prodhuar nga ISIS në Sirinë fqinje dhe për transportim të saj drejt Turqisë, ndonëse akuzat nuk ishin mbështetur nga ndonjë dëshmi solide.
Albayrak më parë ka mohuar çfarëdo lidhje me “Powertrans”, citohet Express. (b.an)