Nëntë kroçera dhe velierë janë parashikuar deri tani të lundrojnë drejt portit të Durrësit gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa pritet që ky numër të rritet edhe më tej.
Tashmë në faqen e Dispeçerisë të APD janë paraqitur edhe datat e mbërritjeve në portin e Durrësit, si dhe periudha e qëndrimit në portin më të madh të vendit.
Kroçera “La Belle dell’Adriatique” do të ankorohet e para për vitin 2017, më 17 prill, ndërsa anijet e fundit priten të jenë “Serenissima” dhe “Ocean Majesty”, që do të mbërrijnë në të njejtën ditë, më 13 tetor të vitit të ardhshëm.
Nga të dhënat e deritanishmë, këto ditë pritet të konfirmojë mbërritjen edhe kroçera “Princendam””, e cila në kuadër të tureve mesdhetare ka udhëtuar edhe herë të tjera drejt Durrësit.
Gjatë vitit 2016 në portin e Durrësit janë ankoruar 24 kroçera dhe anije veliere, me një numër të përgjithshëm prej 14.084 turistë. Shumica e turistëve vijnë nga SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, por nuk mungojnë udhëtarët nga të gjitha kontinentet. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.
Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës. /ATA/a.m.