Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako priti sot në një vizitë pune Drejtorin e CIA-s John Brennan.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtori i CIA Brennan ka vlerësuar dhe përgëzuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë e Shtetit, veçanërisht me Drejtorinë e Antiterrorit.
Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate pozitive në ndjekjen e çështjeve të përbashkëta.
Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me agjencitë te tjera brenda dhe jashtë vendit është për t’u marrë shembull theksoi Brennan.
Brennan siguroi për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit nga ana e CIA-s.
Drejtori Çako ka falënderuar Brennan për mbështetjen dhe bashkëpunimin veçanërisht në fushën e terrorizmit si dhe siguroi Drejtorin e CIA-s se puna për rritjen e kapaciteteve në mbrojtje të sigurisë kombëtare, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë prioritete kryesore të Policisë së Shtetit.
Ai shtoi se bashkëpunimi është në interes të mbrojtjes së interesave të të dy vendeve.
Në këtë takim Çako shoqërohej nga zv.Drejtori Rebani Jaupi dhe Drejtori i Antiterrorit Gledis Nano.