Në kërkim të veprave të reja që eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet, festivali më i madh i filmit në Kosovë ka lansuar thirrjen për filmbërësit që duan të jenë pjesë e edicionit të ri.
Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” ka bërë thirrjen për aplikim për edicionin e 16-të, shkruan “Koha Ditore”. Filmbërësit që duan të bëhen pjesë e festivalit kanë kohë që t’i dorëzojnë aplikimet e tyre deri në fund të muajit shkurt, përkatësisht në prill të vitit të ardhshëm.
Ftesa për aplikim u është drejtuar autorëve të dokumentarëve, filmave të shkurtër, animacioneve dhe filmave eksperimentalë. Edicioni i ardhshëm i “DokuFestit” do të mbahet në qytetin e Prizrenit midis datave 4 e 12 gusht të vitit 2017.
Nita Deda, drejtoreshë e “DokuFestit”, ka thënë se duke pasur parasysh përvojat e viteve të kaluara, organizatorët presin numër të madh aplikimesh.
“Vitin e kaluar kanë aplikuar mbi 5 mijë filma dhe presim interesim të shtuar”, ka thënë Deda.
Ajo ka shpjeguar se cilat janë risitë e këtij edicioni sa i përket mënyrës së aplikimit të filmave që duan të shfaqen në kuadër të “DokuFestit”.
“Risi është që filmat ndërkombëtarë do të paguajnë një shumë simbolike për të aplikuar, ndërsa aplikimi për filmat kombëtarë është falas. Po ashtu, afati i aplikimit për të gjithë filmat e prodhuar pas datës 1 janar 2017 do të zgjatet deri më 15 prill. Afati i zgjatur i aplikimit po ashtu vlen edhe për të gjithë filmat kombëtarë”, ka thënë Deda.
“DokuFest” është festivali më i madh i filmit në Kosovë që për çdo vit mbush kinematë dhe vendet e improvizuara për shfaqje filmash, përreth qendrës së qytetit historik të Prizrenit, me mbi 200 filma të përzgjedhur nga e gjithë bota. Pjesë e festivalit janë edhe ekspozitat, debatet, masterklasët dhe evenimentet muzikore…, përgatiti Koha. (b.an)