Dy urdhra mbrojtjeje të shpallura nga Gjykata e Fierit një javë përpara se Liljana Ruko të vritej, nuk ja kanë dalë mbanë që ta mbrojnë jetën e saj.
Ne të dyja rastet, 43-vjeçarja ka dëshmuar në gjykatë se ndihej e kërcënuar për jetën e për këtë gjykata urdhëroi që bashkëshorti i saj Ferdinant Ruko të mos e shkelte distancën e dy metrave, pavarësisht se çifti jetonte në të njëjtën shtëpi.
Urdhri i parë i mbrojtjes është vendosur në 11 nëntor dhe i dyti në 25 nëntor. Rrezikun për jetën e ndjera i kishte rrëfyer në gjykatë ku pohonte se grindja e fundit kishte nisur për shkaqe ekonomike. Vrasësi i saj Ferdinant Ruko, i cili ka qenë për shtatë vjet i martuar me 43-vjeçaren, do dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për veprën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, krim ky që parashikon dënimin nga 35 vjet, në burgim të përjetshëm.
Nëna e dy fëmijëve u hodh nga dritarja e tualetit të shtunën dhe fillimisht u raportua nga bashkëshorti si vetëvrasje. Por disa orë më vonë, Ferdinant Ruko ka pranuar në polici se ai ishte autori i krimit. Ai ka thënë se pas një përleshjeje brenda në shtëpi i kishte hedhur duart në fyt dhe kur kishte parë që e shoqja po merrte frymë e ka tërhequr nga korridori në tualet.
“E kam ngritur duke e vendosur me shpinë tek parmaku i dritares së tualetit. Liljana reagoi duke tentuar që të mbahej në anët e dritares, por unë e shtyva”, ka thënë vrasësi i saj.
Prokuroria thotë në qëndrimin e saj se nga këqyrja në banesë janë konstatuar njolla gjaku në, çka shton dyshimet se çifti është përleshur brenda në banesë. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë njoftoi se ka urdhëruar një hetim administrativ për të kuptuar se përse e ndjera jetonte përsëri me burrin agresor dhe kush duhet ta mbikëqyrte vendimin e gjykatës.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga ana e tij thotë se urdhri i mbrojtjes duhet të ishte dorëzuar brenda 24 orëve pranë policisë, por ky urdhër nuk është dërguar kurrë në polici. Për këtë arsye, ministri Tahiri kërkon hetim penal për cilindo përgjegjës që nuk ka bërë detyrën dhe e ka mbajtur këtë vendim në sekretarinë e gjykatës. Duke kujtuar urdhrin e mbrojtjes të publikuar nga deputetja Majlinda Bregu, Tahiri shton: Kur gratë në parlament dhunohen me tituj të tipit “ndrikulla”, e “lavire”, sigurisht injoranca do gjej frymëzim t’i dhunojë e t’i vrasë gratë e fëmijët.
Ndërkohë, efektivë të Policisë së Fierit kanë sekuestruar në sekretarinë e gjykatës urdhrin e mbrojtjes që do depozitohet në dosjen hetimore të hapur për shkak të mos veprimit nga ana e gjykatës. (TCH)