Gjyqtari Ergys Selmani akuzohet për shpërdorim detyre pasi sipas policisë, rezulton se në shkelje të ligjit ka neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë të vendimit për mbrojtjen e Liljana Rukos tek autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e saj.
Policia thotë se pas kësaj ka ardhur pasoja e rëndë e vrasjes së saj nga bashkëshorti.
Nisjen e hetimit për gjyqtarin në fjalë e ka përshëndetur përmes rrjeteve sociale ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Zyrtarisht ka një hetim të çelur ndaj proçesit të marrjes dhe të zbatimit të Urdhërit të Mbrojtjes për Liljana Rukajn. Përshëndes prokurorinë dhe e nxis atë të zbardhë këtë çështje, jo vetëm për të evidentuar përgjegjësit, por edhe për të disiplinuar sjelljen shtetërore për raste të tjera. Ky ishte reagimi i duhur! Këtë gjë kërkova që dje. Tani t’ja lëmë drejtësisë në dorë!”, thotë ai.
Liljana Ruko, 43-vjeçarja nga Fieri humbi jetën pasditen e së shtunës, pasi është hedhur nga dritarja e tualetit të shtëpisë së saj, në katin e katërt.
Ngjarja ndodhi në orën 15:45 në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe, sipas policisë, më herët kishte ndodhur një konflikt në familje mes 43-vjeçares dhe bashkëshortit të saj.
E ndjera u dërgua me urgjencë për në spital, por për shkak të lëndimeve të rënda në trup humbi jetën pa mbërritur në duart e doktorëve.
Policia, ndërkohë ka shoqëruar bashkëshortin e saj 52-vjeçar, Ferdinant Rukaj, nën akuzën se ka hedhur bashkëshorten nga ballkoni. Ai akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.