Shoqëria shqiptare është në kulmin e një depresioni social pa rrugëdalje. Në këtë konkluzion dalin psikologë dhe sociologë në vend, të cilët ngjarjet e dy ditëve të fundit i lidhin sa me vështirësitë ekonomike, mugesën e përkrahjes sociale dhe të kaluarën tranzitore ndër vite.
“Këtu brenda ka edhe pjesë të kulturës, por ajo që është e frikshme është fakti që ne sot kemi prindër që vrasin fëmijë. Kjo është pjesë e një depresioni të pasur social e familjar, pjesë e një varfërie. Sot Shqipëria është në ditët e Migjenit. Në mjerim, në mungesë të një shprese reale të shqiptarëve. Ofrojini kësaj shoqërie, pjesa më e madhe e së cilës është në varfëri, shpresë”, tha Denada Toçe, psikologe.
Format e krimit në shoqërinë shiptare kanë dalë jashtë njerëzores, ku jo pak vend zë edhe kultura e shoqërisë sonë, vlerësojnë piskologët. Sipas tyre, këto raste të shpeshta krimi në forma monstruoze janë kambanë alarmi për ndërhyrje të menjëhershme të të gjithë aktorëve.
“Në fakt është shumë tronditëse, janë të paimagjinueshme përmasat e këtij lloj krimi, kësaj tipologjie krimesh në shoqërinë shqiptare. Janë përmasa shumë të frikshme, përtej njerëzores. Edhe sociologjia e psikologjia me siguri mbeten pa ‘gjuhë’ për të ligjëruar se çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare. Unë mendoj se nuk janë faktorët ligjorë e penalë, që mund ta frenojnë këtë gjë. Kemi nevojë për një lloj strategjie humanizuese, për të kthyer përmasat humane në shoqërinë shqiptare”, tha sociologu Gëzim Tushe.
“Këto tregojnë se shoqëria shqiptare është e mbërthyer nga një krizë e fortë mungese besimi, mbështetjeje dhe sigurie. Ndërkohë, shërbimet parandaluese, ato të strehimit, të marrjes në mbrojtje të fëmijëve, apo të ndalimit të një bashkëshorti të dhunshëm qoftë edhe me mjete elektronike, në mënyrë që ai të mos i afrohet viktimës, këtu mungojnë totalisht”, tha Edlira Haxhiymeri, psikologe.
Shoqëria shqiptare është e tronditur dy ditët e fundit nga krimi, në dy raste ku babai vret dy fëmijët e mitur, e po kështu bashkëshorti zhvesh dhe hedh gruan nga kati i katërt./tch/a.k