Nga Skënder Minxhozi/
Mbrëmë kryeministri italian Mateo Renzi dorëzohej publikisht përballë dallgës së madhe të Jo-ve të referendumit më të rëndësishëm kushtetues të Italisë së dekadave të fundit. Në një fjalim që njihte dështimin dhe pranonte faktin që 60% e italianëve e votuan kundër, Renzi deklaronte se nuk donte të ishte një politikan që bënte sikur nuk kishte ndodhur asgjë. “Askush në Itali nuk di të humbë, po karrigia ime u hodh në erë”, deklaroi ai para gazetarëve të shumtë.
Përtej efeketeve që rënia e qeverisë italiane po vazhdon të ketë në tregjet financiare dhe botën politike në Europë e SHBA, largimi i Renzit shënon një gjest të logjikshëm dhe të paevitueshëm në një demokraci normale. Ndodhemi pak kilometra bregut tjetër të Adriatikut dhe kemi rastin që këtë proces ta ndjekim nga afër. Rëndom themi se “Shqipëria është Europë”, se nuk i përkasim Lindjes por Perëndimit. Dhe rregullisht kemi vepruar, këtë çerek shekulli demokraci, si një vend lindor, si një shtet dhe një shoqëri postkomuniste, e jo si një sistem i lirë dhe i bazuar mbi ligjin dhe normalitetin.
Ikja e Renzit shënon një moment të detyrueshëm reflektimi edhe për (mos)funksionimin e demokracisë së brishtë e të korruptuar shqiptare. Në të cilën, nëse i hedh një sy të shpejtë ngrehinës që kemi ndërtuar këto 25 vjet, do të vesh re plot të çara, plasaritje dhe mure të shtrembër. Një ndërtim pa leje, më shumë sesa një godinë solide.
Ikja e Renzit në Itali përbën një gjest që kemi pasur rastin ta shohim edhe ne në Shqipëri. Natyrisht nëse do të kishim politikanë normalë, e jo personazhe të ngjitur me zamk pas karriges. Njëzet vjet të shkuara Shqipëria kreu një referendum kushtetues, i cili për nga pesha dhe rëndësia i afrohej këtij që u mbajt në Itali të dielën. Kush i kujton ato kohë, e ka ende të gjallë tendosjen që ai referendum solli në shoqërinë shqiptare, për shkak të personalizimit që presidenti i kohës Sali Berisha i bëri atij votimi popullor. Referendumi kushtetues i 1994 ra, por as edhe një kujdestar konvikti apo pastruese rrugësh nuk dha dorëheqjen. Gjithçka u mbyll me heshtje dhe arrogancë, aq sa edhe rezultatet i nxorrën pas një jave.
Pas atij momenti, politika shqiptare ka pasur plot e plot raste kur zyrtarë të lartë të saj duhej të kishin dhënë dorëheqjen. Në të kundërt, krerë qeverish, partish apo drejtues të rëndësishëm – të gjithë kanë ulur kokën dhe kanë shpresuar që gjithçka do kalonte në heshtje. Ashtu ka ndodhur, sepse ne jemi një popull që nuk kemi dashur kurrë të mbajmë shënime për ata që na kanë drejtuar. Janë vrarë njerëz, janë zbuluar skandale të mënxyrshme, kanë ndodhur hatara në kokën e shtetit dhe askush nuk ka ikur. Qoftë edhe për të mbajtur sadopak pergjegjësi etike e institucionale për postin që mbante në momentin e skandalit.
Momenti i dytë që e kemi para syve prej vitesh, por që mesa duket do të vijojë të prodhojë keqqeverisje dhe manipulim të jetës demokratike, ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të parlamentit shqiptar. Rama dhe Basha po i bëhen edhe një herë pengesë kërkesës mëse të ligjshme, që Kuvendi i Shqipërisë të formohet në bazë të kriterit të garës dhe meritës, e jo në bazë të emërimit paraprak përmes listave të mbyllura. Evitimi i mazhoritarit të thatë apo të korrektuar dhe krijimi i “kazanit” të listave të mbyllura proporcionale, ka mbytur tërësisht garën elektorale, duke vendosur praktikisht se cilët do të jenë deputetë dhe cilët do të bëjnë lojën e figurinave nëpër listat e hartuara nga krerët partiakë sipas oreksit të tyre personal.
Kësisoj kemi pasur në parlament llumin e figurave të nëntokës, që e kanë kthyer Kuvendin në një sallë hipokrizie demokratike dhe analfabetizmi politik. Të gjitha gjasat janë që edhe pas verës së vitit 2017 do të kemi lista të mbyllura kandidatësh. Pra do t’u besojmë edhe një herë shijeve e preferencave ekskluzive të kryetarëve të partive. Megjithëse kemi parë që edhe vetë krerët partiakë janë penduar rëndë gjatë rrugës, për personat që kanë futur në parlament. Deformim i rëndë demokratik dhe shëmti mëse e evitueshme shqiptare…
Një pamje e tretë karikaturale e demokracisë tonë, e cili duket sikur nuk ka lidhje me dy të parat, është fakti që kemi ende një kryetar shteti që tashmë është krejtësisht jashtë funksionit të tij. Sidomos pas ndryshimeve të fundit kushtetuese, që i hoqën atij një copë të majme kompetencash. Shumëkush ka folur e shtyrë këto vite që të kemi një president të zgjedhur nga populli, në vend të personazhit të pozicionuar partiak dhe të zgjedhur me shumicë të thjeshtë që kemi në këtë moment në krye të shtetit. E megjithatë kjo s’ka qenë e mundur dhe ne kemi pranuar të delegjitimojmë postin e lartë të presidentit dhe të dëmtojmë imazhin e vendit, në vend që ta korrigjojmë këtë paudhësi kushtetuese. Mosprekja e kapitullit të presidentit në 21 korrik, ndërkohë që kompetencat e tij u ribënë në një pjesë të konsiderueshme për shkak të reformës në drejtësi, ka qenë një gabim që ka lënë një deformim afatgjatë në indin e demokracisë shqiptare. I cili do të sjellë edhe në të ardhmen situata absurde, ku persona të zgjedhur me 71 vota do të mbajnë postin më të lartë të shtetit, duke u përplasur pafund me pushtetet e tjera për shkak të amullisë së kompetencave dhe tagreve institucionale të paqarta.
Sa bukur shkruan ky Skenderi!Lexo kete dhe mbylle kompjuterin,mos ja prish lezetin me shkrime te tjera!.