Është zhvilluar ditën e sotme seanca gjyqësore për çështjen e gjyqtares Majlinda Andrea, e cila akuzohet për marrjen e 50 mijë eurove ryshfet për të favorizuar në një çështje pronësie me sipërfaqe prej 40 hektarësh në Sarandë. Bashkë me të në akuzë është edhe bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i cili është në kërkim nga drejtësia.
Në seancën e sotme nuk ishte e pranishme gjyqtarja Andrea, ndërsa avokati i saj mbrojtës kërkoi shuarjen e vendimit të pezullimit të saj nga detyra dhe deklarimin të papërdorshëm të përgjimeve që zbuluan aferën.
Avokati i saj së bashku me atë të bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andrea, kërkuan deklarim të papërdorshëm të vendimit për përgjimin e parë të dosjes, për vendosjen në përgjim të numrit të Ilia Çabirit dhe deklarim të papërdorshëm të të gjitha përgjimeve të dosjes.
Prokurori kërkoi kohë të shprehet për kërkesat, ndërkohë që seanca e radhës u la në datën 12 dhjetor.
Në dosjen e Prokurorisë, Majlinda Andrea do të përballet në gjykatë me akuzën e “korrupsionit”, ndërsa bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, do të gjykohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sakaq, të pandehurit e tjerë të dosjes janë Petraq Dashi, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, do të gjykohen për “korrupsion”.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, i dyshuari Petraq Dashi ka ndërmjetësuar me bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea në lidhje me çështjen në gjykim, ku ishin palë trashëgimtarët Çabiri dhe Lino. Dyshohet se ai ka rënë dakord për pagesën e një shumë prej 50 mijë euro për të marrë një vendim në favor të tyre.
Pasi ka nënshkruar një kontratë fiktive për huazimin e një shumë prej 50 mijë euro, Dashi i dorëzon një shumë të tillë bashkëshortit të gjyqtares në një lokal në Tiranë. Te nesërmen, në 12 korrik gjykata vendosi në favor të Çabirit dhe Linos. Hetimi ka nxjerrë në mënyrë indirekte gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, përmes survejimit të veprimeve të bashkëshortit të saj.