Portali multimedial i Radiotelevizionit Italian i ka risjellë në ekran tetë episodet e serisë televizive “Odissea”, protagonist i së cilës është aktori kosovar me nam botëror, Bekim Fehmiu.
Këtë serial, i cili në vitin 1968 u transmetua në televizionin nacional italian RAI, tani të gjithë mund ta shohin online falë qasjes që ofron portali Rai Play, shkruan “Koha Ditore”. Kjo është publikuar në uebfaqen zyrtare të këtij portali.
Kjo seri që bazohet në “Odisenë” e Homerit, është bashkëproduksion mes Italisë, Jugosllavisë, Gjermanisë dhe Francës, nën regji të Franco Rossit dhe asistencë të Piero Schivazappa e Mario Bava. Në rolin kryesor në këtë serial luan aktori i ndjerë Bekim Fehmiu. Ai paraqitet në rolin e Odisesë.
Krahas tij është aktorja e madhe italiane Irene Papas në rolin e Penelope, Samson Burke në rolin e Ciklopit, si dhe Barbara Bach në rolin e Nausicass dhe Gerard Herter. Seriali është xhiruar në Kroaci dhe Mal të Zi.
Në versionin origjinal ishin tetë episode, ku secili episod hapej me një prezantim në të cilin poeti Guiseppe Ungaretti lexonte rreshta të poezisë origjinale. Kjo përshtatje është konsideruar si pasqyrimi më besnik i Homerit në ekran.
Efektet speciale ishin dizajnuar nga Mario Bava dhe Carlo Rambaldi. Seriali u transmetua në Evropë në mes të viteve 1968 dhe 1970. Vetëm në Itali episodet e tij patën audiencë prej 16 milionë shikuesish…, përgatiti Koha. (b.an)