Është finalizuar me sukses një operacion i përbashkët policor me Maqedoninë, ku në pranga kanë rënë katër shtetas.
Në kuadër të një bashkëpunimi të suksesshëm midis autoriteteve policore Maqedonase, Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Specialistëve të Seksionit për Narkotikët në DVP-Korçë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, u finalizua një operacion i përbashkët antidrogë, synimi i të cilit ishte goditja e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit dhe mbajtjes të lëndëve narkotike, shkruan express.
Më datë 03.12.2016 nga ana e autoriteve Maqedonase, në brendësi të territorit të tyre, u konstatuan dy automjete, konkretisht mjeti tip “Mercedes -Benz” me targë AA 584 MZ në pronësi të shtetasit Reviol Capo, brenda të cilit ndodheshin edhe shtetasit Erand Malo dhe Ervis Dushi.
Si edhe mjeti tip “Volvo” me targa AA 484 IR në pronësi të shtetasit Arben Bashllari, 53 vjeç, banues në Pogradec. Gjatë kontrollit që shërbimet policore maqedonase ushtruan tek automjeti i këtij të fundit, iu gjet e sekuestrua një sasi prej 15-kg, lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.Bashllari u kap dhe arrestua në kushtet e flagrancës nga autoritetet maqedonase, ndërsa tre shtetasit që ndodheshin në automjetin tjetër u shoqëruan dhe më pas u deportuan, në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.
Si rezultat i bashkëpunimit, mirëkoordinimit të veprimeve dhe vijimit të hetimeve lidhur me këtë rast, shërbimet tona policore, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve të deportuar. Konkretisht në ambjentet e banesës të shtetasve Erand dhe Ernik Malo,(vëllezër) në fshatin Buçimas, të rrethit Pogradec, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
3 pako me peshë 10 KG, lëndë e dyshuar si narkotike “Cannabis Sattiva”
1 krëhër automatiku me 27 fishekë të kalibrit 7.62 mm
Në kushtet e flagrances u arrestuan katër shtetasit e mëposhtëm :
· Erand dhe Ernik Malo, 25 dhe 19 vjeç (vëllezër) nenet 283/2 dhe 278/3.
· Ervis Dushi, 29 vjeç, të tre banues në fshatin Buçimas- Pogradec, neni 283/2.
· Reviol Capo, 31 vjeç, banues në Pogradec, neni 300 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta persona në bashkëpunim mes tyre, lëndën narkotike të poseduar synonin ta trafikonin drejt shtetasit maqedonas.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”dhe “Moskallëzimi i Krimit” parashikuar nga nenet 283/2 ;278/3; dhe 300 të Kodit Penal.