Pezullimi i vetingut nuk ka ndalur BE që të përgatisë terrenin dhe të japë asistencë mbi mënyrën se si do pastrohet gjyqësori. Ditët e fundit, në Tiranë kanë mbërritur dy ekspertë britanikë; Jonathan Fisher dhe Anita Clifford, të Qendrës së Krimit Zyrtar, të cilët, në bashkëpunim me Projektin e Avokatëve Ndërkombëtarë, kanë zhvilluar trajnime në Shkollën e Magjistraturës në luftën ndaj pastrimit të parave dhe evazionit fiskal shkruan “Sot”. Për dy ditë, ata kanë mbledhur prokurë dhe gjyqtarë të spikatur në vend dhe kanë dhënë direktiva se si duhet të bëhet zbulimi i pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe sekuestrimi i parave të pista apo objekteve që janë vënë në mënyrë të jashtëligjshme.
Gjyqtarët dhe prokurorët e trajnuar pritet që të kandidojnë për të qenë pjesë e SPAK apo organeve të tjera që do ngrihen në kuadër dhe të vetingut. Në faqen zyrtare të agjencisë ku punojnë dy ekspertët, kanë dalë detaje nga takimet e tyre. “Përveç parave të gjeneruar nga krimet e drogës dhe korrupsioni i gjyqtarëve, pjesë e ekonomisë informale e Shqipërisë janë edhe shitësit e rrugëve, tregtarët që punojnë në Greqi e Itali dhe dërgojnë paratë të padeklaruara në shtëpi. Statistikat thonë se ekonomia informale e Shqipërisë qëndron në 33 %, por masa e vërtetë është e vështirë të përcaktohet”, thuhet aty.
Ata kanë dhënë asistencë teknike edhe për ndryshimin e legjislacionit. Sipas ekspertëve duhet të ketë ashpërsim të ligjit për fshehjen apo pastrimin e parave. “Evazioni është shumë i përhapur në Shqipëri dhe dhënia e llogarisë së shkelësve është e vështirë. Kjo ndjesi e mosbesimit në arritjen e zbatimit të masave u shpreh gjatë gjithë takimit. Në një vend ku shumë njerëz punojnë në të zezë dhe burimet janë të pakta, si mund të detyrohen ata të bëjnë të kundërtën? Këto janë dhe çështjet me të cilat përballen gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri. Evazioni fiskal dhe pastrimi i parave janë të lidhura ngushtë dhe nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën”, thuhet më tej në njoftim.
Skema e zbulimit të pronave korruptive
Ekspertët britanikë kanë trajnuar prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë dhe mbi zbulimin e pronave që janë jo të ligjshme. Madje ata kanë dhënë alarmin se shumë zyrtarë në Shqipëri i shmangen sistemit të taksimit. Sipas tyre, në momentin që ka evazion fiskal, ka dhe pastrim parash. Për këtë arsye, ata kanë sugjeruar që gjatë procesit të verifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kontrollohen dhe bizneset që ata kanë dhe sa të rregullt janë me sistemin fiskal. Një tjetër element që sipas tyre e shmang këtë gjë, është që të deklarohet çdo lloj e ardhur dhe çdo lloj fitimi nga të gjithë qytetarët në vend. Vetëm në këtë mënyrë do ketë një bilanc të qartë të evazionit fiskal.
Një tjetër fushë, sipas tyre, është dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Agjenci të ndryshme botërore, do të ndihmojnë në zbulimin e pronave dhe parave të dërguara jashtë vendit. Por sipas ekspertëve, gjithë sekreti qëndron te sistemi taksiv, ku nëse hyhet në regjistrin e Tatimeve aty shihen të ardhurat e zyrtarëve dhe më pas mund të hapen hetime për pastrim parash apo fshehje pasurie./a.k