Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën e “Barrikadave”, ku ka pasur një denoncim për lëvizjen e personave të armatosur që kanë kërcënuar një grup të rinjsh.
Në kërkim në lidhje me ngjarjen është shpallur shtetasi Kataldo Lezhja, personazh me precedentë penalë dhe i njohur si mik i ngushtë i Gjergj Cukalit, “të fortit” të rrugës “Myslym Shyri”, në kryeqytet.
Mbrëmjen e së premtes, policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale B.L., 27 vjeç (i dënuar më parë). Po ashtu, pas hetimeve u referuan materialet në prokurori për shtetasin Kataldo Lezhja, 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “Barrikadave”, duke drejtuar mjetin tip “Alfa Romeo”, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar, duke braktisur mjetin.
Policia ka njoftuar më tej se gjatë kontrollit të ushtruar në makinë u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një qese me 1.4 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë dhe B.L. iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale 2 boçe bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Policia ka thënë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që u gjet i hapur dhe i braktisur pranë trafikndarëses.
Ndërkohë, ka pasur raportime se personat mbanin armë në makinë, por në automjet është gjetur vetëm lëndë narkotike.
NGJARJA
Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:00, Policia e Tiranës është vënë në alarm pas një telefonate se disa persona që lëviznin me armë me një makinë “Alfa Romeo” po kërcënonin disa qytetarë.
Pas identifikimit të mjetit, policia u vu në ndjekje të tij, ku rreth orës 20:00 arriti të kapë makinën, por drejtuesit e tij ishin larguar në drejtim të paditur. Në lidhje me këtë ngjarje, policia bëri hetimet e nevojshme dhe identifikoi dy personat që ndodheshin në automjet.
Ata mësohet se kanë qenë Kataldo Lezhja dhe i afërmi i tij, shtetasi me iniciale B.L. I shpalluri në kërkim Kataldo Lezhja, i cili e përdorte makinën e braktisur te trafikndarësja, ka qenë i shpallur në kërkim edhe më herët dhe disa herë është dënuar për vjedhje dhe plagosje.
Vetëm për konflikte në lidhje me parkimin, Lezhja është arrestuar 3 herë nga policia. Miku i Gjergj Cukalit, Kataldo Lezhja, në 2015 u arrestua, pasi plagosi dy të rinj në rrugën “Mujo Ulqinaku”, vetëm se i kishin zënë parkingun.
Në dhjetor të vitit 2013, ai u shpall në kërkim dhe u arrestua pak javë më vonë, pasi kishte goditur me thikë një 25- vjeçar, pas një debati që kishte pasur me të për parkimin e makinës.
Lezhja njihet edhe për miqësinë e tij me Gjergj Cukalin, i njohur si “i forti” i rrugës së “Myslym Shyrit”, i cili u arrestua në korrik të këtij viti pas një operacioni antidrogë.
Në vitin 2012, Cukali dhe Lezhja u arrestuan për një incidenti të kryer në bashkëpunim, pranë Shkollës së Baletit. Për një vend parkimi, ata kërcënuan me armë dhe goditën një punonjës të një firme private.
SI U ARRESTUA ME CUKALIN
Kataldo Lezhja është proceduar nga policia për herë të parë në vitin 2012 për një ngjarje të ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”, kur Gjergj Cukali u kap me një armë “Glock”.
Disa muaj para arrestimit të Cukalit, ai bashkë me Kataldo Lezhjën kishin kërcënuar rojën private të një biznesi pranë Shkollës së Baletit në Tiranë.
Cukali dhe Lezhja janë vënë në pranga për një ngjarjeje të kryer në bashkëpunim në maj të vitit 2012, pranë Shkollës së Baletit. Ata akuzoheshin se kishin kërcënuar me armë dhe goditur shtetasin Sh.Kadiu, punonjës i një firme private sigurimi, për një vend parkimi.
Më pas, në vitin 2015, 24-vjeçari Lezhja, me precedentë të mëparshëm penalë dhe i dënuar disa herë për plagosje, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohej për plagosjen e kanosjen e dy të rinjve në rrugën “Mujo Ulqinaku”.
Kataldo Lezhja, i njohur së fundmi edhe si bashkëpunëtor dhe mik i Gjegj Cukalit, i konsideruar si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”, u arrestua pasi në bashkëpunim me shtetasin E.M., 25 vjeç, i shpallur në kërkim kanë kanosur me jetë dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit O.N., 30 vjeç, e E.P., 28 vjeç.
“Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur, pasi dy të dëmtuarit i kishin zënë vendin e parkimit në rrugën ‘Mujo Ulqinaku’, që ndodhet mes Rrugës së Kavajës dhe asaj ‘Myslym Shyri’, në kryeqytet”, ka thënë policia.
Dy të dëmtuarit kanë pësuar disa plagë të lehta me sende të forta dhe pasi kanë marrë mjekim janë larguar nga spitali.
ma.me