Një grua ka humbur jetën pasditen e kësaj të shtune në lagjen “Kryengritja” të qytetit të Fierit, pasi ka rënë nga kati i katërt i apartamentit ku banonte.
Viktima është identifikuar Liljana Ruko, 42-vjeç, e cila ka humbur jetën rrugës për në spital, si pasojë e rënies nga lartësia.
Policia ka shoqëruar si të dyshuar për ngjarjen, bashkëshortin e saj, Fredi Ruko. Burime pranë policisë së Fierit bëjnë me dije se dyshohet që gruan ta ketë hedhur nga pallati i shoqi, pas një sherri të çastit mes tyre.
Dy bashkëshortët kishin pak kohë që ishin kthyer nga Gjermania sëbashku me dy fëmijët e tyre, ku mësohet se kishin shkuar për të përfituar azil politik. Mësohet gjithashtu se autoritetet gjermane kanë refuzuar kërkesën e çifit shqiptar, çka ka bërë që ata të rikthehen në vendlindje, në Fier.
Fqinja: E hodhi burri nga dritarja e tualetit, e pash me këta dy sy
“Liljanën e hodhi bashkëshorti nga dritarja e tualetit, e pamë me sytë tonë”. Kështu rrëfen për Shqiptarja.com një fqinje e çiftit Ruko në Fier, ku gruaja, Liljana Ruko, humbi jetën pasi u hodh nga bashkëshorti nga dritarja e tualetit në katin e katërt të apartamentit.
Ajo ka qenë dëshmitare e të gjithë skenës së tmerrshme të krimit, ndërsa shton se para vrasjes, çifti ka debatuar me njëri-tjetrin, ndërsa në atë moment ka dëgjuar të bërtiturat e 42-vjeçares.
“E pamë me sytë tonë kur burri e hodhi nga dritarja e banjës. Dëgjuam të bërtitura dhe pastaj pashë që ai e ngritit peshë dhe e hodhi Liljanën. Ishte e tmerrshme”, thotë fqinja.
Ajo thekson gjithashtu se gruan e kanë gjetur të zhveshur dhe me trupin e lagur poshtë pallatit. “Ne e gjetëm të zhveshur dhe me trupin e lagur poshtë pallatit, siç duket sapo kishte dalë nga dushi”.
E pyetur nëse mes çiftit ka pasur probleme të mëparshme, fqinja thotë se ishin një familje e përkryer.
“Ishin çift dhe familje e përkryer, nuk kishim dëgjuar për probleme më para mes tyre”, u shpreh ajo.
shqiptarja.com/d.i.