Ben Blushi u largua nga Partia Socialiste pas betejes me kryetarin aktual Edi Rama për çështjen e mandatit të kryetarit të kësaj force. Pasi PS vendosi mbajtjen e një referendumi për të përcaktuar nëse kryetari do të konfirmohej në rast të fitimit të zgjedhjeve parlamentare, Blushi e quajti këtë një manovër të Edi Ramës për të mbajtur peng partinë. Ai përshkallëzoi sulmet ndaj kreut dhe lidershipit të PS pasi anëtarësia e PS vendosi me votë konfirmimin e mandatit të kryetarit aktual Edi Rama. Blushi akuzonte Ramën për shkeljen e statutit dhe për mungesë totale transparence në procesin e mbajtjes së referenmdumit. Pas oponencës së fortë brenda grupit të PS, shpesh herë me gjuhën e opozitës së PD, Blushi vendos krijimin e partisë “LIBRA”. Kjo parti u regjistrua në gjykatë në 25 Nëntor. Në vendimin e gjykatës thuhet se Blushi është zgjedhur kryetar i kësaj force politike.
“Gjykata vendosi: 1. Pranimin e kërkesës. 2. Regjistrimin e partisë “Lista e Barabartë”, me iniciale “Lista” në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. 3. Selia e partisë “Lista e barabartë” është në Tiranë, rruga “Sami Frashëri” nr.5. 4.
Organet drejtuese të partisë “Lista e Barabartë” janë Forumi, Koordinatori, Këshilli, Bërthama, Komisioni i Etikës, Komisioni i Garancive, Kryetari, për të cilat përcaktohet saktësisht në statut procedura e konstituimit, vendimmarrjes dhe kompetencat. 5. Kryetari i Partisë “Lista e Barabartë” është zgjedhur z. Ben Blushi. 6. Partia “Lista e Barabartë” ka programin, vulën dhe logon e saj. U shpall sot më dt 25.11.2016 ora 14.58 min Tiranë”,-thuhet në vendimin e gjykatës.
Pyetja që lind natyrshëm është se kur u mbajtën zgjedhjet për kreun e partisë LIBRA? Të paktën publikisht nuk është njoftuar asnjë votim për zgjedhjen e kreut të kësaj partie, në një kohë që Blushi deklaroi se kryetari të zgjidhjej me votë, siç thuhet edhe në statutin e kësaj force të re.
Ja çfarë deklaronte ben Blushi kur ishte pjesë e PS dhe kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar:
“Pse ka frikë të zgjidhet Edi Rama? Çfarë e pengon? Është koha për tu votëbesuar. Siç e parashikon statuti i partisë duhet të ketë zgjedhje çdo katër vjet, por në Partinë Socialiste nuk bëhen zgjedhje që nga 2009.
Kjo nuk po ndodh dhe për fat të keq është një mandat i grabitur nga Rama. E thashë edhe brenda mbledhjes si ka mundësi që një grupim politik që qeveris vendin, që do të bëjë reformën në drejtësi por nuk zbaton rregullat e saj në parti. Po kush na beson ne?
A mund të vijë një djalë apo vajzë 18 vjeç të anëtarësohet në PS, aty ku nuk ka zgjedhje?
Për ta sqaruar më qartë çfarë po ndodh po ju sjell një shembull. Socialistet kanë në parlament shumicën. A mundet që me shumcë vote të vendoset të mos ketë më zgjedhje parlamentare në Shqipëri? Pra e njëjta gjë po ndodh në PS. Shumica nuk lejon të ketë zgjedhje në parti”, deklaronte Blushi pas një mbledhjeje grupi në PS.
Por çfarë thotë statuti i partisë së Ben Blushit për zgjedhjen e kryetarit?
“Neni 8. Forumi. Forumi është mbledhja e të gjithë anëtarëve të LIBRA-s. Forumi është organi më i lartë vendim-marrës i LIBRA-s. Forumi mblidhet të paktën një herë në vit.
Mbledhja thirret nga Kryetari, nga 1/3 e Bërthamës ose me kërkesë të 10 përqind të anëtarëve të LIBRA-s. Me thirrjen e Forumit përcaktohet edhe rendi i ditës. Forumi ka të drejtë dhe merr këto vendime: Zgjedh Kryetarin, Zgjedh Bërthamën, Zgjedh kandidaturat e përfaqësimit politik për zgjedhjet e përgjithshme apo vendore, Miraton programin dhe të gjitha platformat politike dhe programet zgjedhore të LIBRA-s, Miraton buxhetin vjetor,Miraton Statutin dhe ndryshimet e tij.
Neni 14/Kryetari. Kryetari zgjidhet nga Forumi, ndërmjet anëtarëve të LIBRA-s, me shumicë të votave të Forumit. Kryetari ka këto kompetenca: Përfaqëson ligjërisht LIBRA-n për palë të treta; Thërret dhe drejton mbledhjet e Forumit; Thërret dhe drejton mbledhjet e Bërthamës; Vendos për çështje politike dhe të organizimit elektoral të LIBRA-s. Mandati i kryetarit është dy vjet. I njëjti kryetar nuk mund të ketë më shumë se tre mandate”,-thuhet në statutin e LIBRA-s.
Nëse forumet janë mbeldhur dhe zgjedhjet janë kryer, të paktën publikisht nuk ka pasur asnjë njoftim nga kjo forcë politike. Të paktën për të mos rënë në mungesë transparence siç akuzohej Edi Rama nga themeluesit e “LIBRA-s”, minimalisht mund të njoftonin për këto vendime, edhe pse mbledhje dhe votim nuk ka pasur për kreun e kësaj force.
Por, ja çfgarë deklaronte Blushi për referendumin në PS:
“Arbitrarisht në këtë referendum nuk u lejua të kishte palë kundër megjithëse ky është rregulli numër një universal i çdo referendumi.
Nëse nuk ka palë nuk ka pse të ketë referendum dhe as pyetje të diskutueshme.
Nuk u lejua të ketë fushatë, nuk u lejua të ketë vëzhgues, nuk u lejua të verifikohet lista e zgjedhësve dhe nuk u lejua të ketë numërues.
Pyetja është kush e vëzhgoi këtë proces?
Kush vendosi, kush është dhe kush nuk është në listën e votimit?
Kush do ti numërojë votat?”, do te deklaronte Blushi në një kohë që në partine e tij te re nuk bkhen zgjedhje për kryetar.
/a.m.