Shqipëria dhe Italia janë futur në një betejë tregtare për kompanitë “call center”. Italia është duke miratur një ligj që i detyron kompanitë që operojnë në vendin tonë të shpërgulen drejt saj. Qeveria thotë se ka argumenta për të kundërshtuar këtë ligj, ndërkohë që bizneset thonë se efekti i tij negativ ka nisur të ndihet.
Qeveria shqiptare do të kundërshtojë zyrtarisht tek autoritetet italiane ligjin që kufizon lëvizjen e lirë të kompanive “call center”.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, tha: “Duhet të hartojmë një qëndrim që t’ia kalojmë ambasadës italiane, e cila do ta përcjellë shqetësimin më lart. Ndërkohë, nga ana tjetër, kemi kontaktuar me ambasadon tonë në Itali, që po bën përpiqet në ministrinë përkatëse që ta çojë ligjin për rishikim, mbi bazën e argumentave që po sjellim”.
Blendi Klosi tha se qeveria do të mbrojë interesat e bizneseve shqiptare dhe u ka kujtuar autoriteteve italiane se Shqipëria është një vend kandidat në Bashkimin Europian: “Hapja e negociatave që pritet të bëhet së shpejti, mund të jetë i favorshëm në raport me këtë problem”.
Sipas përfaqësuesve të industrisë “call center”, nëse ligji do të miratohet edhe në Senat, pasojat për Shqipërinë do të jenë të rënda. Gentian Drenova, kryetar i shoqatës së “call center”-ave, deklaroi: “Kjo do të bllokojë çdo investim të ri. Nga ana tjetër, ka gati 6 muaj që në Shqipëri nuk vjen më asnjë kompani italiane për shkak se kanë frikën e këtij ligji”.
Ndërsa Marin Gjonaj, një sipërmarrës në “call center”, u shpreh: “Ne na është thënë që brenda janarit 2017 të hapim kompani në Rumani. Disa nga ne do e hapin, të tjerë jo”.
Industria e “call center” numëron rreth 800 ndërmarrje në Shqipëri dhe punëson mbi 25 mijë vetë, të cilët rrezikohen seriozisht nëse ligji i miratuar nga Parlamenti italian do të votohet edhe në Senat./tch/a.k