Avokati i Popullit organizoi sot Auditoriumin me temë: “E drejta e punësimit të personave meaftësi të kufizuar”. Në këtë aktivitet u prezantua edhe një draft-Raport për problematikat epunësimit të PAK.
Aty konstatohet se “Personat me aftësi të kufizuara duhen konsideruar dhe trajtuar si subjekte me të drejta për t’u realizuar. Përgjigja që shoqëria dhe shteti shqiptar duhet t’u japë problemeve të tyre është përfshirja dhe jo asistenca apo shërbimet specifike dhe të izoluara. Të garantosh shërbimet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, do të thotë të jesh në rrugën e duhur për uljen e varfërisë dhe mospërjashtimin social.
Reforma Administrative Territoriale duhet të sjellë dhe një angazhim aktiv të të gjithë aktorëve lokalë përgjegjës për problematikat sociale dhe pjesëmarrjen aktive të grupeve të interesit në programimin dhe planifikimin e tyre në përputhje me nevojat e veçanta të të gjithë kategorive të aftësisë së kufizuar.
Arsimi profesional tashmë në varësi të MMSR, e që ka filluar të promovohet, duhet të mirëkoordinohet me Zyrat e Punës për programe të veçanta për formimin profesional të PAK.
Përgatitja e planeve dhe mjeteve të zhvillimit dhe kontrollit mbi territorin, struktura më të përgjegjshme kontrolli, plane afatshkurtra dhe afatmesme për përshtatjen e objekteve e sidomos ato ku marrin shërbime publike kjo kategori e popullsisë, përbëjnë disa nga aspektet problematike të identifikuara.
Problematika që deri më tani e pengojnë dhe aksesin në punësim të PAK janë edhe mungesa e përfshirjes në sistemin arsimor të të gjithë niveleve, mospërfshirja e tyre në hartim politikash, sidomos në planin vendor”.
Diskutimet e tjera në këtë auditorium u përqendruan në tema që lidhen me: Promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe lirive themelore të PAK; Shmangien e barrierave dhe aksesueshmërine për PAK; Problematikat, vështirësitë dhe pengesat për realizimin e të drejtës për punësimin e PAK në Shqipëri ; Promovimin e shembujve më të mirë të punësimit të PAK ; Punësimi-kyç për gjithpërshirjen sociale dhe pavarësinë ekonomike për PAK, etj.
Në këtë auditorium morën pjesë si panelistë z. Alfred Topi, Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Punës ILO, z. Dritan Ylli, Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Punës, z. Artur Mickaj, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit , z. Abdulla Omuri, President i Shoqatës së Invalidëve të Punës të Shqipërisë, z. Sinan Tafaj, President i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, z. Ndrekë Ismaili, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Organizatave të Sh.C. të PAK etj.
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në fjalën e tij tha se:
“Duke i vlerësuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si një prej çështjeve më të rëndësishme të një shteti social, si dhe element të rëndësishëm të së drejtës që ka çdo individ për të jetuar shëndetshëm, dhe për të fituar jetesën me punën e vet, hartuam këtë Raport për problemin e mprehtë të punësimit, me synimin e ndërgjegjësimit të institucioneve përgjegjëse të cilat kanë përgjegjësi direkte në garantimin e mirëqënien e personave me aftësi të kufizuara si qytetarë me të drejta të plota të Republikës së Shqipërisë.
Personat me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e tyre, përbëjnë një nga misionet më të rëndësishme të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Për shkak të vështirësive ekonomike, por kryesisht për shkak të ndryshimit të qëndrimeve, është e nevojshme që gjithkush që është përfshirë, jo vetëm të kuptojë që personat me aftësi të kufizuara duhet të bëjnë zgjedhjet e tyre individuale, por edhe të ofrohen trajnimet dhe aftësitë e nevojshme për të mësuar se si të ndërtojmë modele mbështetëse dhe t’i integrojmë ata në jetën e përditshme.
Shoqëria dhe shteti shqiptar duhet të reflektojë për më shumë ndihmë dhe investim në mbrojtje të të drejtave njerëzore të kësaj shtrese të popullsisë. Realiteti shqiptar paraqet një shoqëri ku problemet sociale janë të mprehta, ku mirëqenia dhe mjedisi ku jetojmë janë çështje të prekura përditë, por që çdo ditë nxjerrin nevojën e ndërhyrjes shumëplanëshe shtet-shoqëri. Dhënia prioritet shtresave në nevojë, duhet të jetë e ngulitur në planveprimin e gjithsecilit, duke i mbrojtur ata nga neglizhenca, mosveprimi apo shkelja e të drejtave.
Një sfidë të vërtetë përbën edhe trajtimi dhe punësimi i tyre. Problemet që po kalon sot shoqëria shqiptare kanë viktimizuar së pari këtë pjesë të pambrojtur të popullatës. Të mos harrojmë për asnjë çast që të drejtat e Njeriut karakterizohen nga universaliteti dhe patjetërsueshmëria, pandashmëria, ndërvartësia dhe barazia e mosdiskriminimi.
Diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë kundrejt personave me aftësi të kufizuara ekziston në mjaft aspekte të jetës sociale dhe private dhe është më i theksuar në punësim, arsim, aksesin në ndërtesa dhe shërbime si dhe në jetën e pavarur.
Por politikat për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të kuptohen si politika për pakicat, por si politika të cilat ashtu si dhe për grupime të tjera shoqërore synojnë, gjithëpërfshirjen, pavarësinë, integrimin dhe vetëvendosjen e tyre. Shqipëria synon të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane, të cilës duhet t’i bashkohet duke u përputhur me të jo vetëm institucionalisht por dhe me praktikën dhe legjislacionin e saj. Ne duhet të përpiqemi në vazhdimësi që të drejtat e liritë themelore të personave me aftësi të kufizuara, të jenë të garantuara me qëllim që të realizohet përfshirja e tyre sociale si dhe integrimi e tyre në shoqëri.
Shoqëria shqiptare dhe ne të gjithë së bashku, duhet të punojmë për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit në mënyrë që vetë personat me aftësi të kufizuara të kuptojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të përfshihen në shoqëri”.
Ky auditorium mundësohet falë ndihmës së Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës për Avokatin e Popullit. /a.m.