Shtohen kategoritë e pensionistëve që do të kenë mundësi të përfitojnë nga rritja e pensioneve. Dje Këshilli Administrativ i ISSH-së, i drejtuar nga ministri Blendi Klosi, miratoi projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 409, datë 01.06.2016 “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve të lidhura në periudhën 1993- 1996”, nëpërmjet të cilit parashikohet rritje e masës së pensionit për disa kategori të tjera profesionesh të klasifikuara si profesione të rënda.
KATEGORITË
Kështu, do të përfitojnë shtesë të gjitha gratë që kanë punuar si tornitore, tezgjahiste dhe naftëtare, të cilave iu është llogaritur pensioni në vitin 1993. Po ashtu minatorët e dalë në pension të parakohshëm ose pleqërie në periudhën tetor-dhjetor 1995, si edhe të gjithë ata pensionistë që iu është lidhur pensioni nga muaji prill deri në 31 dhjetori të vitit 1996. Për këta të fundit, me masë përfitimi fillimisht në vlerën e 3300 lekëve, shtesa mësohet se do të variojë nga 200 lekë deri në 370 lekë në muaj.
Ky vendim i ri, që pritet të zyrtarizohet në qeveri, vjen pas atij të miratuar në muajin qershor të këtij viti. Rreth 19.655 pensionistë të dalë në pension në periudhën ’93 dhe ’96 përfituan nga rritja. Por 6 muaj më vonë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka parë mundësinë për zgjerimin e mëtejshëm të fashës, duke bërë pjesë të përfitimit edhe rreth 3 mijë të moshuar të tjerë. “Nga miratimi i këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 3000 pensionistë, gra që kanë bërë punë të vështira dhe minatorë, të cilët kanë dalë në pension të plotë apo pension të parakohshëm në vitet 1993- 1996”, bëhet e ditur nga Ministria e Mirëqenies Sociale.
SHKURTOHEN AFATET
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Administrativ i ISSHsë miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.
Thelbi i këtyre ndryshimeve është shkurtim i afateve të shërbimit ndaj qytetarëve përmes përshpejtimit të procedurave të verifikimit dhe marrjes së vendimeve administrative për vjetërsinë në punë, si dhe shmangie e proceseve gjyqësore. Sipas ministrit Klosi, kjo rregullore krijon tepër mundësi për zgjidhje përmes procedurave administrative. Ndërkohë drejtues të ISSH-së shprehën bindjen se pas këtij vendimi pritet të shtohen zgjidhjet e plota të ankesave të qytetarëve për njohjen e periudhave të sigurimit në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore dhe parashikohen afate më të shkurtra në marrjen e përgjigjeve e vendimeve, si rrjedhojë e lehtësimit të procedurave dhe saktësimit të kompetencave që do të kenë Komisionet që vlerësojnë dokumentacionin e vjetërsisë në punë.
E veçanta e këtyre ndryshimeve është fakti se ndahen qartësisht çështjet që do të shqyrtohen nga komisionet rajonale dhe strukturat qendrore të apelimit, nga ato çështje që do të shkojnë për zgjidhje në gjykatat e faktit, duke shkurtuar kështu me mbi tre muaj kohën e përgjigjes ndaj qytetarëve.
MA.ME