Shqiptarët e Shqipërisë janë shumë pak në Beograd. Të padukshëm. Serbët hiqen indiferentë ndaj tyre, por thellësisht ka një paragjykim që shkon te çdo gjë që bën ose identifikohet me një shqiptar. E nga ana tjetër, mjafton dhe aktiviteti më i zakonshëm në vend, të fillojnë këngët patetike për Kosovën dhe thirrjet anti-shqiptare. Gjithsesi, qytetarët janë të mërzitur me të gjitha, edhe pse media i bombardon me lajme për drogën e shqiptarëve të këqij, për krimet e Haradinajt, për çdo gjë…Ndërkohë kriza dhe shqiptarët s’kanë lidhje fare me serbët sesa me fatin, të cilit i janë qarë gjithnjë. Po çudia s’mbaron këtu: 60.000 kosovarë kanë aplikuar për pasaporta serbe, vetëm vitin e fundit…
Nga Beogradi, Ben Andoni
Nuk e di se çfarë s’më bën të shkoj poshtë Skupshtinës së qytetit dhe t’i bashkohem ngazëllimit të serbëve. Si gazetar duhet të shkoj dhe të jetoj çdo gjë, por si shqiptar kam xhelozi. Të thellë si të gjithë ballkanasit. “Pse vallë këta?”. Fati s’është me mua, sepse teksa kaloj pas Skupshtinës së qytetit, afrohet autobusi i hapët me kampionët e rinj të Botës (Ekipi i të rinjve serbë në futboll) dhe thirrjet e turmës që andej bëhen të papërmbajtura…Shumica janë këngë të vjetra, mes tyre këngët e Kosovës dhe ato më të rejat patriotike. S’i kam dëgjuar më parë. Të rinj pafund, por që janë shumë më pak në turmë sesa i paraqet media kosovare, pak orë më vonë. Kanë të drejtë të krenohen. Kampionë bote…
…
Vajzat nga Shqipëria, që martohen në Serbi nuk janë më lajm, por në Beograd kundrohen ende tek-tuk si fenomen pajtimi. Mua s’më duket fare lajm sesa fakti që 60.000 kosovarë po aplikojnë për pasaportat e tyre. Paradokseve shqiptaro-serbe-kosovare s’të bëjnë fare përshtypje, kur dëgjon çudirat mes vendeve tona. Bëjmë tregti me serbët, i lemë të luajnë në Shqipëri, artistët vinë qetësisht kurse ne u kërkojmë t’u mbajmë dhe dokumentet. Ne dhe ata. Ne dhe Kosovarët!!! Dy kryeministrat, shto dhe Mustafën, që dridhet, mendojnë për rrugët sesi do bashkohemi fare, por sërish kinse zihemi. Në lajme, deklarata dhe në sport. Në dukje, sepse si thotë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk do të pranojë që ajo e cila Serbia e ka investuar të bëhet pronë e shqiptarëve. Serbët e quajnë vjedhje të madhe ‘Trepçen’, Qendrën e Skijimit në Shtërpcë, Gazivodën etj. Si një shqiptar i Shqipërisë, këto më duken të huaja, sepse nuk më lidh asgjë. Por, di mirë se serbët e kanë rrjepur Trepçen pafund.
Femrat shqiptare
Ajo që më intereson më shumë është ajo që lidhet me shqiptarët e Shqipërisë dhe që një pasdite si shqetësim e ndaj me një përkthyes të Gjykatës serbe, që më pyet për terminologji drejtësie. Kanë filluar telashet dhe për to, më thotë pas pak, dhe këto shoqatat që merren me këtë punë, nuk po i pëlqejnë aq shumë. Shqiptaret, që martohen e degdisen në fshatrat e humbura serbe, nuk janë aq mirë sa paraqiten. Nuk dinë gjuhën dhe shkojnë në vende aq të varfra, ku shpesh tmerrohen. Shpejt ikin dhe tentojnë të zhduken, sepse nuk mund të zëvendësojnë një varfëri me një tjetër. E atëherë? S’ka kush t’i mbrojë. Burri ngre supet. Heshtim. Beogradi duket i paqtë dhe i rëndë, për shkak të arkitekturës së tij, që ka marrë shumë elementë vjenezë. Kjo e bën të rëndë distancën por …jo mllefin. ”Më duket si një mënyrë që ju e bëni me qëllim. Ju doni të na asimiloni sepse duke vazhduar kështu brezat me gjysma-serbë, atëherë vjen një ditë që ata të bëhen shqiptar dhe ja ku u bë “Shqipëria e Madhe”, më thotë një serb, me të cilin jam ulur dhe më bën teori. “Po nëse ikin nga Shqipëria me logjikën tënde, atëherë unë duhet të them se po na shkombëtarizoni”, i them. Më shikon me sy të zgurdulluar. “Epo…”. Organizatat serbe të Drejtave të Njeriut, nuk raportojnë për probleme të shqiptareve, që kanalizohen në trafikimin e qenieve njerëzore. Por ç’ti them këtij… “Kjo nuk do të thotë se nuk ka abuzim. Ato kanë prejardhje të varfër, e nuk flasin gjuhën tonë. Nuk jetojnë në vendin e tyre dhe nuk e dinë se kujt t’i drejtoheni në rast problemi. Shteti duhet të kujdesohet më shumë për mundësinë e keqpërdorimit të këtyre grave”, kam lexuar në një prononcim të sajin, Maja Saviç e një OJQ-je të Beogradit. Për fat, ka mbaruar propaganda në Shqipëri dhe topi ka mbetur te serbët, ku popullsia po plaket me ritme të shpejta dhe në më shumë se 370 fshatra në dhjetë vitet e fundit ka pasur vetëm nga një të porsalindur. “Po këta serbët që dërdëllisin, më thotë një kosovar, që jeton prej para ’90 në Beograd,-duhet të dinë se të jetosh në fshatrat primitive të Serbisë është si të jesh në qoftëlarg. Kurse gratë e Shqipnis’, mbajnë ujë në krahë, punojnë tokat si burrat”. Si shqiptar i mirë fillon e më tregon një thashethem për një femër dhe sesi ka arritur lart. A mundet ta lemë?-i them. Anipse, do të flasë pa fund dhe rrok çdo fjal shqip, që i them. Pse vetëm kështu jemi?-i them. Fillon një histori tjetër të disa shkodranëve, të kapur me drogë, që janë në paraburgim prej vitesh dhe nuk po e përfundojnë gjyqin. “Nuk na duan-e kupton apo ajo-dhe nga Shqipnia mungon çdo gjë. Po po ndryshon diçka, shumë shqiptarë po vijnë nëpër mbledhje…”.
Pse vetëm mbledhje,- i them. Ç’të them tjetër? Këta të Kosovës vinë vetëm për bukuri. Kujtoj një lajm, që kam lexuar ditë më parë se në një klinikë të njohur serbe klientët meshkuj-femra nga Kosova ishin të parët në lista që vinin për të bërë rregullime estetike të gjinjve, vitheve, buzëve, hundës…Paskan të drejtë. Dhe, abuzimi me lajmin shkon më tutje, në një sens gati fashist, shqiptarët s’pranojnë të rrinë në dhoma me serbët vetëm të harxhojnë dinarë pa fund…Për patriotizëm, kuptohet.
“Oj Kosovo, Kosovo”
Më në fund e dëgjoj dhe këtë, teksa turma stepet pak dhe në grykën që formon një kompleks i hershëm ndërtimi me Skupshtinën afrohet për t’u futur autobusi dykatësh i kampionëve serbë veshur me të kuqe. Bëj dhe unë disa fotografi. “Oj Kosovo Kosovo”, buçet nga një grup dhe ndiqet nga të tjerë, por ka vetëm britma dhe shfrime gëzimi. “Kosovo je srce Srbije” fare më pak. Në mikrofon vjen Veljko Paunovic, i mbiquajturi Murinjo serb. “Pukni zoro” dhe “Oj Kosovo, Kosovo” fashiten. Diku i përshëndet dhe presidenti. “Fëmijë të dashur, ju falënderojmë për suksesin tuaj që e keni ngritur kaq shumë Serbinë. Nuk keni më nevojë të trokisni në dyer. Për ju janë të hapura tashmë….
“Duam pensione, duam pensione”, i përgjigjen serbët e rinj të futbollit…sepse duan të jetojnë dhe nga politikanët u ka ardhur në majë të hundës. Pak orë më vonë, teksa kthehem në hotel, kap një lajm që vjen nga Kosova. Federata kosovare e futbollit do ta padisë Federatën Serbe për koret nacionaliste të turmës. Ramushi ndërkohë ka zbritur në Tiranë dhe të gjitha bashkë kalojnë si në film. Serbët dhe shqiptarët nuk jetojnë dot pa u marrë me njëri-tjetrin. Të martën “Nase Novine” ia plas se ka dëshminë e një gruaje shqiptar, që mëton se është përdhunuar nga Ramush Haradinaj në kohën e luftës dhe ka parë madje serbë të vrarë, të masakruar.
Serbët duan dhe nuk e duan Kosovën, që po i mban peng dhe ndalimin e Haradinajt ja u faturojnë sllovenëve, me të cilët s’u mbaron inati i dikurshëm. Por, në thelb mbeten ata, edhe pse e dinë që gjylen Kosovë nuk e tërheqin dot më. “Do jemi konstruktivë por nuk do ta njohim Kosovën”, konfirmon Daçiç, kurse vartësit e tij merren me një nga të kërkuarit boshnjakë. Naser Oriç i bëhet një paralelizëm me Ramush Haradinaj…
E ardhmja
E gjitha pastaj si në një karusel. Ramushi shkon dhe kërkon interpelancë në Kosovë, delegacioni serb lufton me atë shqiptar në Bruksel, kurse në Suboticë, vetëm në muajin e fundit me autobusë kanë mbërritur 760 emigrantë që e blejnë një shishe uji në disa vende dhe 20 Euro. 31.000 sirianë janë në Serbi tani, kurse eh., sërish më vjen ndërmend: 60.000 kosovarë aplikojnë për pasaportat serbe. Ministri i Brendshëm Serb ka me çfarë të krenohet se po bën shumë më tepër për integrimin e kosovarëve…Është e vërtetë kjo, i them një miku kosovar. “Allahile, shumë po gënjejnë këta shkijet. Nuk harrojnë shumë ata dhe gjithçka sajojnë”, thotë ai.
Serbia ashtu si Shqipëria, Mal i Zi dhe më gjerë janë të varur tashti nga pretendimet e kinezëve që pretendojnë se do bëjnë rrugë të reja dhe “se në një të ardhme, njerëzit do jenë të lumtur, thotë ambasadori kinez, kur të ecni me 160-200km në orë në ato udhë”. Ne kemi shpresë pas ardhjes së kryeministrit Vuçiç në Shqipëri, ku Serbia dhe Shqipëria kanë dhënë sinjale të mira bashkë, por më e mira prej tyre është se Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi, pas bisedimeve me palën serbe, pohon se takimi i fundit në Bruksel nuk ka dështuar. Shpresoj që jo sepse dështimi i tyre nuk do të thotë ndal vetëm për vendet por edhe për tregëtinë tonë…Eh moj politikë!!!
Intermexo-Me Kosovën
E megjithatë, inati i serbëve nuk bie për Kosovën dhe është e tmerrshme për ta të sugjerosh të kundërtën. Suveniret kanë këtë motiv. Kudo Kosova. Në fakt, mbase duhet të futesh në lëkurën e tyre, që ta kuptosh. Jo më kot, duket se kosovarët po lëshojnë tepër në praktikë, kurse serbët po luajnë një lojë diplomatike, sikur janë të pakënaqur. Dhe, krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe integrimit deri në fund të serbëve në institucionet e Kosovës, që Thaçi e quan pozitivitet e në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në vitin 2013 për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, duket se po e çon të gjithën në një hulli të ditur.
Kujtohem se një nga ankesat e Albin Kurtit, prej vitesh, ishte bash frika nga krijimi i zinxhirit të tyre, që do të thotë se Kosova është gati e ndarë, në vendin e saj. Dhe, megjithatë, delegacioni kosovar po mendon që të ndalojë propozimet serbe për ndarjen e pronësisë në Gazivodës gjysmë për gjysmë; Serbia i ka propozuar Kosovës të aplikojë për prefiks, që ai do t’ia jepte Prishtinës, ndërsa asaj t’i lejohet formimi i kompanisë në Kosovë, që do të kishte trajtim të barabartë me operatorët e tjerë, që po ashtu është refuzuar nga Kosova. Por, republika e re kërkon prefiks që nuk varet nga Serbia, ndërsa Beogradi mund të konkurrojë në tregun telekomunikativ të Kosovë njësoj si vendet e tjera të botës, përplasen burokratët. Sa i përket, barrikadës mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë, Vuçiç shprehet se pushteti lokal ka të drejtën e marrjes së vendimeve rreth planifikimit hapësinor dhe në përputhje me këtë: “Mitrovica e veriut duhet vetë të vendosë nëse do ta heqë “Parkun e Paqes” (barrikadën) ose ta lë”!!! Këta politikanët të shkrijnë me termat. Ajo është barrikadë, o zotëri…
…
Duket se flasim shumë me vete. Kam një përshtypje se kosovarët do e gjejnë gjuhën shpejt me serbët. Jo thjesht se shkojnë e u besojnë trupin estetikisht në Serbi, e jo se aplikojnë për pasaportat e tyre, por e shikoj në kinse-ankimet e vazhdueshme dhe në mos bërjen asnjëherë të gjërave që duhen kundër tyre.
Është mbrëmje dhe gjej një mundësi te Galeria e Akademisë të shikoj një ekspozitë retrospektive. Sa më të avancuar prej nesh…Më vjen keq për artin e vendit tim, futur me forcë në korniza. Më vjen keq, për kohën që humbim, duke u marrë me gjëra që dihet se në fund do të bëhen. Më vjen për të qeshur që Vuçiç i thotë barrikadës, “Parku i Paqes” dhe që kosovarët shtojnë numrin e serbëve në shesh dhe që kinse bëjnë se e kanë inat njëri-tjetrin. Më vjen keq për paret që lenë në Serbi dhe nuk i lenë gjetkë.
E çfarë mund të bëjnë vallë ato shqiptaret e gënjyera në fshatra, apo studentët e shumtë në Beograd, që dalin nga Katedra e gjuhës shqipe, pa folur dot asnjë fjalë shqip? “Nuk flas ne, por dua shumë të mësoj. Bursa nuk ka”. Më thotë një beogradas i ri me syze, që ka mbaruar aty dhe është i etur për shqipen. Nuk e ndihmoj dot, sepse ne duam të humbim kohë dhe të merremi me politikë. Kurse serbët me Kosovën dhe foklor politik. Se do jetojmë përjetësisht vetëm ne në botë. Kështu e tha dhe Zoti, vetëm Ne…Cilët ne? Është verë. Qershor 2015.