Albanologu Robert Elsie vazhdon të na befasojë, teksa këtë herë sjell një tekst shumë interesant për brigjet e Shqipërisë, të një mjeku dhe arkeologu francez. Jacob Spon udhëtoi në brigjet e Shqipërisë në vitin 1675.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të Spon, shoqëruar në fakt me disa foto që janë bërë në vitin 1940 në brigjet shqiptare nga italiani Giuseppe Massani në rivierën shqiptare , – shkruan Mapo.
-“Ditën tjetër lundruan me Raguzën nga pas, e cila po e merrte veten me vështirësi pas tërmetit të tmerrshëm që thuajse e shkatërroi plotësisht”.
-“12 milje me tutje është një fshat i quajtur Raguza e Vjetër. Përtej është “goja” e Kotorrit, prej nga kemi hyrë. Nga aty u nisëm për të kaluar Gjirin e Drinit, që është jo më pak se 180 milje në gjatësi. Ky është Gjiri i famshëm i Apollonisë, ku Çezari thuajse humbi jetën. Lëmë pas kalanë e vogël të Budvës, fortesën e fundit të venedikasve në Shqipëri. Më pas lundrojmë përgjatë bregdetit, ku shohim Dulçenjon, i quajtur edhe Ulqin, një qytet mysliman që ka rreth tetë mijë banorë dhe ofron një skelë të mirë, ose për ta thënë në gjuhën e Levantit, ky është një qytet i mirë për të bërë tregti me të. Frankët kanë një konsullatë këtu”.
-“Durrësi, që njihej si Dyrrah nën romakët, nuk është veçse një fshat me rrënojat e një fortese. Më pas vjen Gjiri i Bunës, me një lumë me të njëjtin emër që rrjedh në të dhe dikur quhej Drilo. Më pas gjatë bregut takojmë lumin Pojana, që e ka marrë emrin nga afërsia me Apolloninë. Më pas vjen Vlora ose Aulona”.
-“Tridhjetë milje më tutje është një mal me burim katrani, i përmendur nga shkrimtarët e lashtë. Këtu anijet bëhen të papërshkrueshme nga uji për shkak të përzierjes me zift”.
-“Sazani, që është rreth gjashtë milje nga Vlora, shënon kufirin juglindor të Gjirit të Drinit (Lodrin)”.
-“Teksa po kalonim gjirin, vumë re një brig në horizontin jugor, që kërkoi të largohej kur na vuri re. Kjo na bëri të mendojmë se janë piratë, pasi ata e kthyen anijen në drejtim të Vlorës. I ndoqëm nga pas dhe anija jonë lundroi mirë sa ishim afër në distancë qitje brenda një ore. I përshëndetëm me tre ose katër të shtëna, çka bëri që ata të ulin velat. Siç doli, ata nuk ishin veçse një anije nga Cefalonia që transportonte vaj dhe djathë për në Venecia. Ata kishin menduar se ne ishim piratë”.
-“Era ishte e favorshme dhe ne nuk hodhëm spirancën në Sazan. Kapiteni i galerës sonë tha se diçka e çuditshme kishte ndodhur këtu disa vite më parë. Në atë kohë ai ishte kapiteni i një galere tjetër dhe kishin hedhur spirancën këtu. Dy skllevër nga anija e tij dhe një tjetër nga një anije tjetër ishin arratisur dhe ishin fshehur në shkurre. Por çfarë mendoni se kanë bërë këto krijesa të gjora? Pasi kaluan dy ose tre ditë në ishullin e shkretë, pa asgjë për të ngrënë, vendosën të vrasin një nga shokët e tyre për ta ngrënë. Ata e realizuan planin dhe u ushqyen për disa ditë në trupin e njeriut të shkretë derisa një anije e huaj mbërriti. Ata hipën në të dhe shkuan në Venecia”.
-“Pranë Sazanit ne mund të shohim malet e Himarës. Përgjatë bregut të jashtëm, ato janë të populluara nga pesë ose gjashtë fshatra që u rezistuan turqve dhe refuzuan të paguajnë haraçin, taksën për kokë. Kryesori i fshatrave është Himara, i vendosur në një kep shkëmbor, prej nga e gjithë popullsia mund të tërhiqet në rast nevoje. Ç’është më interesante, nëse dikush i sulmon nga deti, ata tërhiqen në mal dhe janë virtualisht të paarritshëm dhe mund të marrin me vete edhe kopetë e tyre”.
-“Nëse i sulmon nga toka, ka kalime kaq të ngushta sa ata mund të mposhtin një ushtri thjesht duke e goditur me gurë. Ata janë ushtarë të mirë dhe ndjekin fenë greke, dhe njësoj si Meinotët janë shumë të mirë në plaçkitje. Ata rrjedhin nga maqedonasit dhe janë popuj luftarakë. Ata kanë një port të mirë të quajtur Porto Panormo, por shumë pak anije guxojnë të ndalojnë aty për shkak se thuhet se ata i shesin myslimanët tek të krishterët dhe të krishterët tek myslimanët. Sa i përket fesë, ata janë subjekt i Mitropolisë së Janisës, që është një qytet i madh rreth dy ditë larg. Nga këtu, ne filluam të hyjmë në Greqi, që na dha kaq shumë kënaqësi sa dikur Eneas dhimbje kur ai kaloi në këtë rajon, pasi ai i konsideronte grekët si shkatërrimtarët e vendit të tij”./a.k.