Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për gazetën “Bota Sot” ka rrëfyer zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ai thotë se për herë të parë emrin e tij e ka dëgjuar nga Adem Demaçi.
Çfarë dini për rastin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha?
Unë emrin e biznesmenit Remzi Hoxha e kam dëgjuar për herë të parë nga z. Adem Demaçi, i cili më ka ardhur në zyrë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij se ky person është zhdukur në Shqipëri. Menjëherë kam ngarkuar të gjitha autoritetet përkatëse të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Inteligjent dhe prej tyre më është raportuar se ato nuk kishin asnjë dijeni për personin në fjalë. Nuk kam pasur absolutisht asnjë informacion, siç është folur më vonë se ky person ishte i implikuar në autobombën kundër Gligorovit dhe më pas u tha dhe në atentat ndaj meje.
Pas kalimit në opozitë, qeveria e atëhershme më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Gjykata Ndërkombëtare të akuzonte Milosheviçin dhe nuk bëri asnjë prononcim për zhdukjen e biznesmenit në fjalë. Nuk i di arsyet pse heshtën! Sigurisht hetuan, por nuk gjetën asnjë lidhje.
Më vonë janë bërë arrestime të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe personat janë liruar nga gjykatat si të pafajshëm, ndërkohë që siç dihet, prokurorinë e kontrollonte tërësisht PS. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjarëve për njeriun e tyre të dashur, më duhet të them se përshtypje më ka bërë fakti që problemi i tij ngrihej në fushata elektorale. Këto janë gjithçka di unë për këtë çështje./a.m.