Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti arritën në 112,543 milionë lekë. Sipas raportit mbi treguesit fiskal të 10-mujorit të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 79.9 miliardë lekë, 2.9% më shumë se 10 mujori i vitit 2015.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 27.8 miliardë lekë ose 11.9% më shumë se 10 mujori i vitit 2015, duke shënuar një realizim të planit të periudhës në masën 91.3%. Faktor që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve me 17.8% ose me 1.1 miliard lekë, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në projektbuxhetin e vitit 2017 llogariten 140.8 miliard lekë me një rritje prej 2.9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2016, sipas Aktit Normativ të qeverisë. Në vitin 2016 qeveria planifikon të mbledhë 137,9 miliard lekë.
Sipas ministrisë së Financave, burimi kryesor i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja gjatë vitit 2017, do të jenë nga importet, si rezultat i rritjes së çmimit në bursat ndërkombëtare të karburanteve. Po ashtu ndikim pozitiv pritet të japë edhe lufta ndaj informalitetit ./a.m.