Anëtari i bordit të Bayernit, Edmund Stoiber, ka deklaruar se fansat nuk do t’ia falnin kurrë klubit nëse do ta shisnin Thomas Mullerin te Manchester Unitedin.
Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë ishte lidhur me një kalim në Old Trafford edhe në të kaluarën, por Stoiber ka lajmëruar “Djajtë e Kuq” që të mos mundohen më për të.
Unitedi transferoi verën e shkuar Bastian Schweinsteigerin nga Bayerni dhe një vit më pas mesfushori u largua nga ekipi i parë.
“Nuk do të ndodhë që dikush si Thomas Mulleri të luajë për Manchester Unitedin. Fansat ishin të mërzitur kur Schweinsteiger kaloi te Unitedi, por ai ishte 32-vjeçar dhe donte sfidë të re. Fansat dhe anëtarët tanë nuk do të na falnin kurrë nëse e shesim Mullerin.
Ai është më shumë se një lojtar i shkëlqyeshëm. Është pjesë e ADN-së sonë. Ai përfaqëson vlerat kryesore për ne dhe është një futbollist që fansat e duan”, ka thënë Stoiber për “Bild”.
Që kur u paraqit në ekipin e parë në sezonin 2008-09, Mulleri ka fituar pesë tituj të Bundesligës, katër Kupa të Gjermanisë dhe titullin e Ligës së Kampionëve, citohet Koha. (b.an)