Në muajin dhjetor, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë nis verifikimin për faljen e kamatëvonesave të dritave për pensionistët kryefamiljarë, persona me ndihmë ekonomike dhe me status të veçantë të invaliditetit që kanë lidhur aktmarrëveshje lehtësuese për energjinë e papaguar.
Burime zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë thanë për gazetën se në fillim të muajit dhjetor nis verifikimi për 66 mijë kategoritë që kanë lidhur aktmarrëveshjet dhe në fund të vitit, abonentëve korrektë automatikisht do t’u zerohen kamatat e krijuara për shkak të debisë.
Në total janë 66 mijë abonentë të kategorive, si pensionistët kryefamiljarë, familjet në ndihmë ekonomike dhe invalidë që kanë lidhur aktmarrëveshje lehtësuese. Por kusht për përfitimin e faljes të kamatëvonesës është pagesa e rregullt e kësteve për debinë e energjisë të krijuar para nëntorit të 2015-s.
Për të gjithë këta kategori që kanë respektuar aktmarrëveshjen e lidhur me OSHEE-në, deri në dhjetor të 2016-s, duke përfshirë edhe pagesën e faturës së muajit korrent, do t’u falen kamatëvonesat e dritave kundrejt pagesës simbolike prej 20 lekësh. Këta persona janë të skeduluar në sistemin e OSHEE–së për aktmarrëveshje, dhe emri i tyre gjenerohet menjëherë në sistem, ndërsa nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë do të kryhen verifikimet nëse janë paguar këstet e debisë dhe fatura korrente e dritave.
PENSIONISTËT QË KANË KONTRATË ME OSHEE-NË
Janë 30 mijë pensionistë kryefamiljarë që kanë një aktmarrëveshje me OSHEE-në për detyrimet e papaguara me këste 1200 lekë në muaj. Kësaj kategorie, në rast se ka respektuar aktmarrëveshjet e lidhura me OSHEE-në, do t’i falen kamatat kundrejt vlerës simbolike 20 lekë. Pra, energjia për të cilën ata janë debitorë deri në dhjetor të 2015-s të jetë paguar me këste 1200 lekë në muaj dhe zbritje automatike të kamatave, duke i paguar 20 lekë.
Kushti kryesor që ata duhet të plotësojnë për të përfituar nga falja e kamatave të dritave është që të kenë paguar faturat e energjisë së muajit korrent dhe të kenë qenë korrektë në pagesat e kësteve të energjisë debitore deri në muajin dhjetor 2016. Në rast të kundërt, nëse ata e kanë thyer aktmarrëveshjen dhe nuk kanë paguar rregullisht këstet e energjisë, kthehen direkt në debitorë.
Edhe për familjet me ndihmë ekonomike debitore, OSHEE po aplikon skemën e pagesës me këste 1200 lekë në muaj. Edhe për këtë kategori, falja e kamatëvonesës kundrejt pagesës 20 lekë do të kryhet, në rast se pas verifikimit konstatohet se janë treguar korrektë me pagesat e kësteve dhe faturave të energjisë.
KAMATAT E FALURA
Sipas të dhënave për periudhën 2014-2016 rezulton të jenë nënshkruar në total 426 mijë aktmarrëveshje mes abonentëve familjarë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Rreth 65 mijë prej tyre janë lidhur prej abonentëve me ndihmë ekonomike, pensionistë kryefamiljarë dhe me status të veçantë.
Deri më tani, nga të gjitha aktmarrëveshjet për familjarë, kanë përfituar reduktim kamatash 225,312 abonentë, në vlerën totale prej 4,6 miliardë lekësh. Ndërsa 220 mijë abonentë kanë përfituar 70 deri në 80 për qind të reduktimit të kamatës së dritave, pasi kanë kryer pagesë të menjëhershme të debisë.
ma.me