Forca policore kanadeze është duke kërcënuar shoferët e dehur se do t’i ndëshkojë duke i detyruar që të dëgjojnë këngët e rok-bendit të njohur Nickelback.
Shërbimi Policor i Kesingtonit ka paralajmëruar se kushdo që kapet duke vozitur nën ndikimin e alkoolit, do të detyrohet që të dëgjojë albumin e tretë të Nickelbackut, “Silver Side Up”, gjatë dërgimit në stacionin e policisë, transmeton Koha.net.
Ky departament i policisë, i cili shërben për 146,283 banorë të Prince Edward Island, këtë ndëshkim e ka paralajmëruar përmes faqes së saj zyrtare në Facebook.
“Kur t’ju kapim, dhe ne do t’ju kapim, përveç gjobës së rëndë, akuzës penale dhe një vit pezullim për vozitje, do t’ju ofrojmë një bonus dhuratë – gjatë rrugës për në burg do të detyroheni të dëgjoni këngët e Nickelbackut”, shkruan në postimin e policisë kanadeze. (b.an)