Unionin e komunave shqiptare, që u formua të hënën në Tiranë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka quajtur lojë fëmijësh të vegjël.
Unioni përbëhet nga Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva dhe u themelua më 28 Nëntor, me rastin e ditës së Pavarësisë.
“Çfarë komunash shqiptare, këto janë lojëra për fëmijë të vegjël, menduan se janë shumë të rrezikshëm … Ky është tregim për votuesit e tyre. E çfarë bën ai union? Shtyp flamuj dhe lapsa”, tha Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp me udhëheqësin e Demokracisë së Re të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, shkruan B92.
“E unë ju pyes, çfarë ka ndryshuar dje dhe sot në Preshevë? A nuk e shkëputën një pjesë të Serbisë? Unë mendoj se jo. Kështu është kur luajnë fëmijët, nëse e kanë më të lehtë, nuk jam shqetësuar shumë”, shtoi Vuçiç.
Ai vuri në dukje, megjithatë, se në aspektin psikologjik, kjo mund të jetë e rrezikshme, sepse disa njerëzve, siç shpjegoi, mund t’u duket se kanë bërë diçka të madhe, dhe në anën tjetër, kjo sigurisht nuk kontribuon në marrëdhënie më të mira në Ballkanin Perëndimor./dita/a.k