Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Konferencën vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Varshavë më 29 nëntror 2016 në kuadrin e Presidencës polake të Grupit të Vishegradit. Në takim morën pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Federica Mogherini, si dhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Nënsekretari italian i Shtetit.
Krahas mekanizmave për përforcimin e bashkëpunimit midis dy rajoneve, diskutimet u përqendruan në ecurinë e procesit të zgjerimit të BE, jo vetëm si një proces teknik por edhe si një instrument në përballjen me sfidat e sigurisë në Europë. Në këtë kuadër, vendet e Vishegradit ritheksuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Linjëzimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, siç në rastin e Shqipërisë, u evidentua si element i rëndësishëm i këtij procesi.
Në mënyrë më specifike për vendin tonë, vendet e grupit të Vishegradit mirëpritën rekomandimin e komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe shprehën mbështetjen për caktimin sa më shpejt të një date për fillimin zyrtar të negociatave. Ata vlerësuan progresin e Shqipërisë, sidomos për reformën e sistemit të drejtësisë, dhe kërkuan që ky progres të reflektohet qartë në konkluzionet e Këshillit të BE-së në dhjetor.
Duke u ndalur në rrugëtimin evropian të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e vendeve të Vishegradit dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Në fjalën e tij Ministri u ndal mbi rëndësinë e vijimit të agjendës së zgjerimit si një element thelbësor për rajonin tonë por edhe për vetë BE-në. Duke informuar mbi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, Ministri Bushati theksoi se “zbatimi i ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është hapi kyç për të vijuar me vendosmëri në procesin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”.
Lidhur me ridimensionimin e strukturave të bashkëpunimit rajonal, Ministri Bushati u shpreh se, tanimë, vendet e rajonit duhet të përcaktojnë objektiva konkretë në bashkëpunimin e tyre, veçanërisht për të lehtësuar lëvizjen e të rinjve dhe krijimin e vendeve të reja pune për ta.
Ministri Bushati nënvizoi se “procesi i zgjerimit të BE është një proces teknik që ka të bëjë me përmbushje kushtesh specifike, por ai duhet të ketë dhe një frymë politike, e cila po i mungon. Kjo frymë politike është e domosdoshme në këtë periudhë sfidash sigurie, si për BE ashtu edhe për rajonin”./a.m.