Pas reshjeve të borës dhe vështirësive të shkaktuara në komunikacion si pasojë, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, duke kërkuar nga komuna e Prishtinës të ndërmerr masa të menjëhershme në mënyrë që të normalizohet qarkullimi i automjeteve dhe njerëzve sikur edhe të thërret në përgjegjësi kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në kushte dimërore.
Në reagimin e KMDLNJ-së, thuhet se bora e parë që ra në Prishtinë, ndonëse ishte me sasi të vogla, e zuri në “befasi” komunën e Prishtinës e cila u tregua e papërgatitur për të siguruar një trafik normal në mëngjesin e 29 nëntorit.
“Nga temperaturat e ulëta, era e ftohtë edhe kjo sasi simbolike e borës ua vështirësoi qarkullimin shumë automjeteve, kamionëve, autobusëve, taksive por edhe këmbësorëve duke shkaktuar shumë tollovi në lagjen Kodra e Trimave, Veterrnik, Rruga B përkatësisht rrugën “Enver Maloku”, lagja e Vreshtave, të Kolovicës, lagjen e Spitalit sikur edhe në Arbëri.
Shtresa e hollë e akullit mbi të cilën kompanitë e kontraktuara nga komuna e Prishtinës nuk kishin hedhur krip apo rërë, shkaktuan një kaos në trafik duke shkaktuar vonesa të shumta në punë, në shkollë si dhe vështirësi në lëvizjen e të sëmurëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së, raporton KTV. (b.an)