Emma Morano ka lindur në 29 nëntor 1899 në Civiasco (Vercelli) dhe jeton në Pallanza. Ajo është gruaja më e vjetër në Europë dhe sot mbush 117 vjeç.
Qyteti feston me një spektakël në teatrin Maggiore ditëlindjen e saj, me një udhëtim historiko-muzikor nëpërmjet tre shekujsh, gjatë së cilëve ajo ka parë tre mbretër të Italisë, shumë presidentë të republikës dhe 11 papë.
Një jetë normale e saja, që ajo e tregon pa problem, duke folur për gëzimet dhe dhimbjet e së kaluarës.
Për ditëlindje do të jenë të gjithë të afërmit e saj dhe pasdite do të vizitohet nga bashkiakja e Verbanias, Silvia Marchionini, ndërsa miqtë do t’i përgatisin ndonjë surprizë. Në shtëpinë e saj do të jetë edhe një ekip i një televizioni gjerman.
Ata që e pyesin si je ajo i përgjigjet e qetë: ”Mendoj se jam mire, kështu thotë dhe doktori im’. Javën e kaluar kishte disa shqetësime me shëndetin, por e mori vetem shpejt dhe tani është mirë.
Certifikatën e Guinness World Record Emma e ka në shtëpi, që kur festoi 116 vjetorin. Sekreti i saj? Ka bërë gjithmonë një jetë të qetë, vetëm në fermë.
Emma ishte e para e tetë fëmijëve. Kur ishte e re, i pëlqente valsi dhe tangoja. Ende e adhuron muzikën. Kur kujdestarja e saj Mili nxjerr smartphone-n dhe vë këngën e preferuar të rinisë, Parlami d’Amore Mariù, Emma këndon, duke buzëqeshur djallëzisht dhe shkëlqen nga kënaqësia.
Gjatë luftës së parë botërore, i fejuari i saj u thirr në front dhe nuk u kthye më. Ajo besonte se ishte vrarë në luftë. Disa vjet më parë, një gazetar zbuloi se në fakt i riu ishte kthyer, por nuk kishte mundur ta gjente Emma Moranon, e cila kishte lëvizur.
Kur u martua, i qëlloi të merrte një burrë që ishte i dhunshëm. Më 1938 Morano u nda prej tij dhe vendosi të mos i përkushtohej më askujt.
Në atë kohë, divorci nuk ishte ende i mundshëm ligjërisht në Itali, madje edhe vetëm ndarja ishte skandal. Por Emma ndihet krenare teksa sheh pas jetën e saj si një grua a pavarur.
Tani ajo vazhdon të jetë shumë e kthjellët, por nuk arrin të flasë mirë dhe ka pak vështirë teksa sheh televizor. Kujdestarja kolumbiane, Mili, kujdeset për të gjatë gjithë kohës që më 2015.
Edhe pse jeton prej 30 vjetësh në Pallanza, shumica e njerëzve nuk e kanë parë ndonjëherë dhe e njohin vetëm nga televizori. Ajo nuk del nga apartamenti me dy dhoma që prej 15 vjetësh. Agostino, fqinji i saj që prej viteve ’80 thotë se nuk e ka parë kurrë, por ka mësuar nga mbesa e saj se është mirë.
“Jam vërtet mirë”, konfirmon Emma. “Por këmbët i kam të dobëta”.
BW/d.i.