Tashmë takimet Merkel-Rama nuk përbëjnë më lajmin dominues të ditës për ambjentin shqiptar. Megjithëse takimi i fundit mes tyre, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, u pasqyrua gjerësisht në mediat shqiptare, kjo ngjarje e njoftuar kohë më parë nuk shënoi habinë kolektive të takimeve paraardhëse. Angela Merkel është një ndër figurat e larta të politikës europiane, të cilën Edi Rama e ka takuar më shpesh.
Vizita e fundt e kryeministrit shqiptar në Berlin ndodh megjithatë në momentin delikat, kur Bashkimi Europian, Këshilli Europian më konkretisht, duhet të shprehet rreth nisjes ose jo të negociatave me Shqipërinë, për anëtarësimin e saj në BE. Ky është hapi i fundit i madh që e ndan vendin tonë nga poltroni i privilegjuar i vendit anëtar në tryezën e 27 vendeve të BE. Si i tillë dhe sipas ligjësive të njohura të klubit europian, ai do të jetë gjithashtu edhe hapi më i vështirë për t’u hedhur për një demokraci të re, ende të dobët dhe të pakonsoliduar si Shqipëria.
Lajmi i mirë që nga takimi Merkel-Rama, është se angazhimi gjerman për integrimin e Shqipërisë vijon të mbetet konstant. Vullneti politik i Kancelares Merkel vijon të jetë i palëvizur ndaj Ballkanit Perëndimor dhe vendit tonë posaçërisht, edhe në kohëra të turbullta për projektin europian, pas daljes së Britanisë së Madhe, disa proceseve zgjedhore në Gjermani, Francë etj, si dhe referendumit italian.
Europa e Bashkuar ka pësuar goditje të forta nga brenda dhe jashtë strukturës së saj në vitin e fundit. Brexit, fitorja e Trump në SHBA dhe fuqizimi gradual por i pandërprerë i lëvizjeve anti-sistem, partive nacionaliste e ksenofobe në Francë, Holandë, Danimarkë e Gjermani, shënojnë sfida të rëndësishme për elitat politike të BE në këtë kohë të paqartë.
Të avancosh me një axhendë integrimi në këto ujra të trazuara, është vërtet një kohë e papërshtatshme. Gjithsesi, ky është fati që historia u ka rezervuar shqiptarëve, serbëve, maqedonëve etj. Deklarata si ato të presidentit gjerman, apo edhe të kreut të komisionit të politikës së jashtme të Bundestagut gjerman në Tiranë para pak ditësh me 7 kushtet e famshme, më shumë sesa humoret e prishura ndaj njërës apo tjetrës qeveri që aspiron afrimin me BE, pasqyrojnë klimën negative që shoqëron në momentin aktual vetë idenë dhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Takimi Merkel-Rama shërben për ta vendosur në një kontekst më pozitiv dhe të pranueshëm procesin e afrimit të Shqipërisë me BE. Dhe për të qartësuar fjala vjen, se Vetingu dhe reforma në drejtësi është kushti kryesor dhe i palëvizshëm, me përmbushjen e të cilit gjithçka do të ishte më e lehtë për Shqiperinë në rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Natyrshëm, do të ishte e parakohshme që vendi ynë të niste menjëherë negociatat me BE, pas raportit të fundit të Komisionit Europian. As në Tiranë nuk shpresojnë në këtë perspektivë kaq rozë dhe as në Bruksel, Berlin, Romë (e aq më pak në Greqi apo në Europën Veriore) nuk janë për hedhjen e këtij hapi. Sepse Shqipëria nuk është ende gati për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Kjo duhet pranuar me vetëdijen e vendit që kur sheh së brendshmi, kupton se është ende shumë larg së qeni Europë. Reforma në drejtësi, zgjedhjet, soliditeti i shtetit e institucioneve, korrupsioni, zgjedhjet, krimi e droga – janë kushte të dukshme e të padukshme që më shumë sesa Brukseli, Tirana duhet t’ja vendosë vetes. E tha këtë gjë sot me takt, por në mënyrë të qartë e të vendosur, edhe kancelarja gjermane historikisht më e angazhuar me punët shqiptare në dekadat e fundit. Kemi ende rrugë të gjatë, duhet durim.
Rama-Merkel qe një gjest mbështetjeje në kohën e duhur, që ndihmoi për të hedhur tej disa keqkuptime që krijoi vizita e Krischbaum, por që vendosi në tryezë edhe një herë më tepër dosjen e madhe, ende në zbatim e sipër, të projektit të Shqipërisë Europiane.
Javanews.al