Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati komentoi takimin Merkel-Rama në Berlin ku kancelarja gjermane vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Bushati shkruan në facebook se takimi i sotëm konfirmoi progresin e bërë nga Shqipëria. Ai i bëri thirrje opozitës të dëshmojë qëndrimin e saj pro integrimit përmes angazhimeve konkrete. Po ashtu, ai i bëri thirrje PD-së të ndalë siç tha ai “fletë-rrufetë që ushqejnë lloj lloj të pavërtetash nëpër kryeqytetet kryesore të Europës”.
Deklarata e Bushatit në facebook:
Takimi në Berlin mes Kancelares Angela Merkel dhe Kryeministrit Edi Rama konfirmoi progresin e qenësishëm që ka bërë vendi ynë në rrugën e vështirë të reformave demokratizuese dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë që puna e nisur me përmbushjen e 5prioriteteve kyçe dhe prirja pozitive e tre viteve të fundit konfirmuar në vlerësimet e Komisionit Europian duhet të vijojë me ritëm të pandërprerë.
Tanimë shpresoj që për këdo të jetë e qartë ecuria, metodologjia, kriteret, pritshmëritë dhe kushtëzimet demokratike të këtij procesi, përfshirë edhe Partinë Demokratike. E cila mund ta dëshmojë mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo fjalësh boshe. Duke ndaluar fletë-rrufetë që ushqejnë lloj lloj të pavërtetash nëpër kryeqytetet kryesore të Europës. Duke zhbllokuar ligjin e vettingut. Duke u përfshirë në një proces të njëmendtë për zbatimin e arkitekturës së re në drejtësi. Duke mos u bërë njësh kësisoj me sindikatën e drejtësisë.
Ky moment është gjithashtu test për pjekurinë tonë politike. Për të ndarë një herë e mirë interesin meskin nga objektivi kombëtar dhe aspirata e përbashkët europiane.